• Thu. Jun 13th, 2024

Kryetari i PR, Fatmir Mediu në Kukës: Votat për kandidatin e opozitës Admir Sinamati

Fushata e republikanëve ka vijuar edhe në Kukës ku është shprehur mbështetja për kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për këtë bashki.

Gjatë takimit kandidati Admir Sinamati në fjalën e tij theksoj se, ‘emigracioni në Kukës nuk është thjeshtë forcë zakoni, por është i mirëorkestruar, i mirëorganizuar, sepse duke i vrarë mundësinë e punësimit, duke e shpërfillur me pagesa qesharake, duke i pamundësuar integrimin në administratë, duke i vështirësuar mundësinë e të bërit biznes, rruga e vetme për të ruajtur nderin, dinjitetin e familjes dhe për të jetuar si qytetarë normalë, i ka ngelur kuksianëve vetëm largimi dhe emigrimi’.

‘Kështu që më 14 maj, ne duhet të votojmë kundër shkaktarëve të emigracionit, kundër vrasësve të shpresës së Kukësit dhe Shqipërisë. Të gjithë së bashku të shkojmë në kutitë e votimit dhe të votojmë’.

Kreu i PR, Mediu në fillim vlerësoi kandidatin e opozitës, duke u shprehur se, ‘kam bindjen që Admir Sinamati nuk është këtu për t`u bërë qytetari i parë, por për t`u bërë shërbëtori i parë i Kukësit dhe i kuksianëve. Ai është një kualitet politik dhe njerëzor, i cili nuk është vetëm për Kukësin por besoj që ka një dimension të jashtëzakonshëm që i vlen gjithë opozitës shqiptare’.

‘Po ju them që këto zgjedhje nuk janë thjesht dhe vetëm për të bërë Admirin kryetar bashkie. Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Janë të rëndësishme për fatin e Shqipërisë dhe ky është momenti dhe ora e shqiptarëve të mirë, të cilët duhet të bashkohen kundër së keqes’.

‘Mendoj që jetojmë momentet më kritike të historisë sonë, të shpërbërjes së familjes dhe shoqërisë shqiptare, sepse Shqipërisë zoti i ka falur gjithçka, Shqipërisë zoti i ka dhënë me bujari, por për fatin e keq sot kemi në drejtim një politikë e cila vjen ndesh me mundësitë që na ka dhënë zoti, vjen ndesh me atë që duam të bëjmë të gjithë së bashku’.

‘Armiku më i madh i lirisë është skllavi i lumtur’, tha Mediu.

‘Këtë po përpiqen këta të ndërtojnë, një shoqëri e cila bëhet skllave e interesave të qeverisë. Një pjesë e njerëzve përballë varfërisë ulin kokën sepse duhet të mendojnë për atë që kanënevojë jetike, një pjesë tjetër kanë frikë se humbasin punën, një pjesë tjetër futen në atë kalvarin e korrupsionit të kësaj qeverie. Por a duhet ta pranojmë ne këtë realitet, që jeta jonë të kontrollohet prej tyre’.

‘Pra ne duhet t`i japim dhe t`i kthejmë pushtet njerëzve të punës, njerëzve të cilët duan vërtetë të punojnë me zemër për gjithësecilin, për Kukësin dhe për mbarë Shqipërinë’.

‘Le të çohemi ne të gjithë së bashku, ta sulmojmë dhe ta shkelmojmë të keqen, mos të pajtohemi me të keqen, të përpiqemi të gjithë së bashku të tregojmë që jemi njerëz me dinjitet, që respektojmë nderin dhe familjen, njerëz që e duam dhe e respektojmë njëri-tjetrin, njerëz që besojmë në Zot për liritë dhe të drejtat tona dhe mundësinë për të ndërtuar lumturinë’.

‘Le të bashkohemi ne me njëri-tjetrin për të bërë atë që është më e mira’.

‘Mos u ndalni përballë së keqes. Luftoni me çdo mënyrë, sepse nëse do të kthejmë kokën në anën tjetër, e keqja do të bëhet dominante dhe e pakthyeshme në Shqipëri’.

‘Prandaj ju ftoj qëmë14 maj, jo vetëm ne, por çdo njeri në qytetin e Kukësit, dhe ata që janë në emigracion, të vijnë dhe të votojnë për Admir Sinamatin, të fillojmë të ndryshojmë Shqipërinë në drejtimin që duam’, tha kreu i PR Fatmir Mediu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *