• Sun. Apr 28th, 2024

Mësuesja e muzikës Aishe Ademaj (Muja)-Nga Naim Palushi

E lindur dhe e rritur në qytetin e Kukësit. Familja e saj ka ardhur në vitet 60 nga Tropoja dhe është vendosur në qytetin tonë.

Ishte nxënëse e klasës së tretë në shkollën “Avni Rustemi” në qytet kur shkëlqeu në aktivizimin e parë të saj nga mësuese Vjollca në një aktivitet muzikor në shkollë. Më pas pati përkrahjen e mësueses së muzikës Violeta Ibrahimi, e cila e aktivizoi në Shtëpinë e Pionierit. Gjithmonë këndonte në kore, komplekse, trio, kuartet por kurrë solo…

Edhe njëherë që pati rastin të paraqitej në festivalin e këngës për fëmijë diku nga viti 1982, një natë para shfaqjes Gjergji i Komitetit të Rinisë e ndaloi vajzën e talentuar të këndojë… Biografia problem!

Një mbështetje të fortë pati nga një mësuese qytetare, flautistja Rita Muja. Vazhdon studimet në shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” Shkodër, në degën e kantos.

E talentuar!

Në kohën e saj studionin në liceun e Shkodrës emra të njohur si Mimoza Selimi, Shpëtim Saraçi, Markelian Kapedani etj. Udhëheqësi i saj është profesori i kantos Ferit Bala, të cilin ajo e përmend me shumë respekt.

Pas përfundimit të liceut artistik ka punuar mësuese e muzikës që nga viti 1987.

37 vjet punë e përkushtim me fëmijët…

Me dhjetëra talente të zbuluara nga mësuese Aishja…

Ndërkohë ajo përmend me respekt emrin e profesor Hamdi Gjanës, një emër i madh i muzikës për fëmijë nē Kukës. Një punë kolosale e këtij njeriu për zhvillimin e artit në Kukës. Përmend gjithashtu muzikantin e madh Binak Elezi, Parid Sinamatin dhe shumë të tjerë…

Por pjesa në e rëndësishme e punës së saj janë talentet e reja.

Daniela Toçi, Anisa Granazi, Alisja Kaloshi, Dajana Koldashi, Ana Cenaj, Glevis Lleshaj janë disa nga talentet e zbuluara nga ajo…

E fundit në radhë vjen Selma Qejvani, vajza e talentuar në Liceun “Jordan Misja” Tiranë.

Një vajzë me një zë brilant dhe vullnet të jashtëzakonshëm.

Aktivitetet në Qendrën Kulturore të Fëmijëve mbajnë firmën e mësuese Aishes. Punë e jashtëzakonshme me fëmijët për më shumë se tre dekada dhe në kushte të vështira.

Dhe rezultatet janë konkrete: Daniela Toçi, Anisa Grenazi dhe Alisja Kaloshi janë finaliste të aktivitetit mbarëkombëtar The Vois Albania. Selma Qejvani po shkëlqen në aktivitetet e Liceut “Jordan Misja”…

Ndërkohë mësuese Aishja vazhdon punën me fëmijët. Ka respektin e kolegëve, prindërve dhe drejtuesve. Janë të shumtë ata fëmijë që kërkojnë të punojnë me mësuesen e talentuar.

Dhe si gjithmonë mësuese Aishen e sheh të qeshur dhe plot humor…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *