Në Has, qyteti shqiptar me shumë emigrantë në Angli ku kryetari dëshiron të ngrejë statujën e Mbretëreshës

Ai është 1 metër e 80 i gjatë dhe pi cigare, por djaloshi që qëndron me një grup shokësh në një qoshe rruge në Has, qytet i vogël i strukur mes maleve të Shqipërisë veriore, është vetëm 13 vjeç.

Kur nxjerr paketën e cigareve për të më ofruar mua një, zëri i mprehtë e tregon të qartë që është ende fëmijë.

Pavarësisht moshës, si shumë të rinj të tjerë në këtë vend të veçuar ai është i vendosur të ikë nga Shqipëria sa më shpejt të jetë e mundur.

“Muajin tjetër do iki me gomone në Angli”, më siguron me një anglishte thuajse perfekte, me vetëm një gjurmë të lehtë aksenti shqiptar.

“Gjashtë nga shokët e klasës kanë ikur gjatë kësaj vere. Më ka marrë mallin”.

Më thotë se e quajnë Gjergji, por teksa nxjerr bllokun e shënimeve që ta shkruaj, gjërat nxehen.

Ma merr dhunshëm bllokun nga dora, më kërkon stilolapsin dhe e shkarravit emrin.

“Ik zhdukuni”, bërtet teksa shokët e tij më rrethojnë dhe thërrasin njëzëri “Go, London, London”.

Duket qartë se nuk janë shumë të dhënë pas të huajve, edhe kur janë nga Britania, që fusin hundët këtu.

Më shumë djem adoleshentë shkojnë në Angli përmes La Manshit me varka nga qytet i vogël i varfër se sa nga çdo pjesë tjetër e Shqipërisë, më thotë kryebashkiaku i tij, 52-vjeçari Liman Morina.

Është një fenomen të cilin nuk mund të mos e hasësh. Jo vetëm që historitë për të janë kudo nëpër median sociale, por televizionet shqiptare japin vazhdimisht pamje të të rinjve që mbërrijnë në Dover.

Dhe shumë prej tyre janë fytyra familjare për zotin Morina. Midis migrantëve ai sheh rregullisht fëmijë që vetëm pak javë më parë kishin jetuar me familjet e tyre në Has, tani me nofkën Londra e Vogël.

I ulur në zyrën e tij në bashki, tingëllon thuajse i dëshpëruar.

“Qyteti ynë po zbrazet”, thotë. “Po i humbasim fëmijët, gjakun tonë, teksa po largohen”.

“Këtë verë, djem 15 vjeç apo edhe më të rinj janë zhdukur sepse varkat që i kalojnë andej janë më lirë tani. Prindërit i lënë të ikin. Mendojnë se në vendin tuaj i pret një jetë më e mirë. Është vendim ekonomik”.

Eksodi i rinisë shqiptare është në qendër të vëmendjes pasi një material ushtarak i publikuar nga Mail on Sunday fundjavën e kaluar tregoi se rreth 4 në 10 migrantë në varkat e trafikantëve që kalojnë nga Franca në Angli gjatë gjashtë javëve të fundit ishin nga ky vend i vogël ballkanik.

Të enjten doli se ata janë të vendosur për të qëndruar.

Më shumë shqiptarë kanë deklaruar se janë trafikuar apo që janë bërë viktima të skllavërisë moderne sapo kanë kaluar në Angli krahasuar me kombësitë e tjera.

Zyrtarë të imigracionit dyshojnë se shumë prej tyre gënjejnë për të rritur shanset për azil e për të shmangur dëbimin mbrapsht në Shqipëri, e cila konsiderohet si vend i sigurt.

Asgjë nga këto nuk e ndalon eksodin nga Hasi. Kryebashkiaku, ish-mësues shkolle, ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester, por lutet që fëmijët e tij, dy vajza e një djalë, midis 10 e 20 vjeç, të mos largohen nga Hasi.

Megjithatë, e pranon se ky qytet “ndihet pjesë e Londrës”, pasi pothuajse çdo familje ka një të afërm që jeton në kryeqytetin anglez apo në një tjetër qytet të madh të Mbretërisë së Bashkuar.

Që nga 24 qershori, kur u mbyll shkolla, zyrtarët e arsimit thonë se mbi 60 adoleshentë janë nisur për në Britani.

Marrja e vizës angleze është e vështirë dhe e shtrenjtë, por shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza nëpër Bashkimin Evropian, deri në veri të Francës, ku iu hipin gomoneve të trafikantëve.

Një zyrtar thotë se në fund të vitit shkollor, 19-vjeçarët mbaruan shkollën i përshëndetën mësuesit me fjalët “mirupafshim në Londër”, në vend të një “mirupafshim” të thjeshtë.

Ai shton: “Anglishtja tani është lënda e preferuar në çdo shkollë të mesme. Madje nxënësit adoleshentë iu thonë mësuesve ‘thank you, sir” kur mbaron mësim. Nuk bëjnë asnjë mungesë. E dinë që anglishtja është e rëndësishme pasi gjuha iu duhet për të jetuar në vendin tuaj”.

Kur të nisë viti i ri shkollor, pas pak javësh, shkollat nuk e kanë idenë se sa nxënës do të mungojnë në banka.

E mesmja më e madh në qytet ka pasur 800 nxënës më 2016.

Në fund të këtij viti shkollor, kishte vetëm 480 në regjistër. Të tjerët kishin shkuar në Angli.

Media sociale, sidomos TikTok, nuk reshtin së prezantuari jetën e re në Britani.

Bandat shqiptare që veprojnë në Francë postojnë me guxim video ku me reklama në gjuhën e tyre për “ulje verore” për kalimin e La Manshit, me çmime që janë ulur deri në 2 mijë paund për person.

Me muzikë të lartë rap në sfond, kanë reklamuar madje edhe një “shërbim jahti” 15 mijë paund nga

Calais apo Dunkirk për në Angli.

Të paktën deri mbrëmë, videot e tyre ishin ende në TikTok për të josh klientë të rinj.

E ta mendosh që dikur shqiptarët ishin gjë e rrallë në Britani. Deri në rënien e komunizmit, tri dekada më parë, vendi i vogël ballkanik ishte i izoluar, pa asnjë kontakt me botën e jashtme.

Censusi i vitit 1991 në Mbretërinë e Bashkuar, dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, regjistronte vetëm 338 shqiptarë që jetonin atje.

Sot numri shkon në dhjetëra mijëra, shumica ilegalisht në Bruitani sepse nuk kanë të drejtë ligjore për azil pasi nuk vijnë nga një vend i shkatërruar nga lufta.

Dhe kështu numrat rriten. Këtë javë, Zyra e Statistikave Kombëtare nxori të dhënat e reja që tregojnë se shqiptarët përbëjnë një nga kombësitë kryesore për lindjet “jo nga Mbretëria e Bashkuar”, që janë bebet e lindura nga prindër të huaj.

Nënat shqiptare sollën në jetë 3260 fëmijë vitin e kaluar vetëm në Angli e Uells.

Sigurisht, e kundërta po ndodh në Has.

Ka më pak lindje, pas burrat e rinj kërkojnë një jetë të re, duke lënë pas vajzat që – në rrethana të tjera – do të ishin gratë e tyre.

Vajzat sorollaten në qytet pa pasur diçka për të bërë. “Thjesht rrinë gjithë kohën e shohin thonjtë ose celularët”, thotë një banakier që ka një kushëri në Manchester.

“Nuk kanë nevojë për të punuar, sepse iu dërgojnë pará vëllezërit nga Anglia. Ndërkaq, djemtë me të cilët do të ishin martuar rendin pas vajzave të tjera kur shkojnë atje”.

Pak i kuptojnë pasojat katastrofike për Hasin më mirë se Islam Kuki, një ish-oficer policie, 58 vjeç.

Ai nuk e ka parë të birin, Darim, që kur iku në Angli shtatët vjet më parë, në moshën 15 vjeç.

Që atëherë kanë ikur edhe dy djemtë e tjerë më të rritur, në të 30-at.

Asnjë prej tyre nuk ka lejen e Ministrisë së brendshme për të qëndruar përgjithmonë në Britani, megjithëse u lejohet të punojnë.

Rezultati? E Kanë të vështirë të vizitojnë prindërit që jetojnë në një apartament jo larg qendrës së Hasit.

“Jeta nuk ka kuptim kur nuk i sheh fëmijët çdo ditë”, më tha këtë javë. “Të gjithë duan shumë të vijnë e të na shohin, por nuk munden se druhen që Anglia nuk do t’i lërë të kthehen prapë atje. Na ka thyer zemrën neve si familje e të tjerëve si ne. Nuk po i shohim nipërit të rriten. Kemi mbetur vetëm”.

Darimi ndoqi një rrugë të rrahur nga shumë emigrantë shqiptarë. Kur ai arriti në Angli, i fshehur në kamion në një nga tragetet e La Manshit (mënyra kryesore para përdorimit të gomoneve), ai u fut në një qendër kujdesi si i mitur i pashoqëruar.

Shkoi në shkollë, pastaj në kolegj, ku mori zanatin e hidraulikut.

Por kur mbushi 18 vjeç dhe u konsiderua i rritur, pati probleme kur aplikimi për azil iu refuzua dy herë.

Vendosi të qëndronte pa letra, duke jetuar me frikën e kapjes nga policia dhe dëbimit si emigrant i paligjshëm.

Punonte ilegalisht me shqiptarë të tjerë në ndërtim, u dërgonte pará prindërve dhe pagoi për dy operacione bypass në zemër për të atin.

Që atëherë ka marrë një numër sigurimesh kombëtare, por nuk i është dhënë asnjëherë e drejta e përhershme për të jetuar në Britani.

I ati dhe shumë prindër në Has këmbëngulin se është e pamundur të kesh një jetë të mirë në Shqipërinë veriore. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë.

Nuk ka punë mjaftueshëm. Qyteti ka 5000 banorë, shumë në moshë pune, por vetëm 700 punojnë, 300 prej tyre në sektorin publik, si policë, shërbyes civilë apo mësues, që paguhen nga shteti.

Shumë familje, edhe ato që janë të punësuar, mbështeten shumë në paratë e dërguara nga fëmijët e tyre nga Britania, sepse nuk arrijnë ta kalojnë muajin për shkak të rrogave të ulëta.

Çdo verë, emigrantë shqiptarë që kanë fatin të kenë shtetësi britanike apo leje qëndrimi, pra janë të lirë të udhëtojnë, shfaqen në qytet.

Iu pëlqen t’i bëjnë paradë suksesit të tyre, duke ardhur me makina të shtrenjta, me lekë për familjet e dhurata nga dyqane të shtrenjtë në Britani.

Disa ngasin Lamborghini apo Maserati të marrë me qira për këtë rast. Këtë javë, dy nga vizitorët që vinin rrotull në Has kishin targa të shtrenjta angleze me fjalën “HAS” në to për të treguar rrënjët shqiptare.

Kjo shfaqje luksi në rrugët e varfra nuk kalon pa tërhequr vëmendjen e të rinjve si Gjergji që ëndërrojnë të ikin nga qyteti ku e ardhmja është e pashpresë.

“Mendojnë se do të fitojnë shumë pará e shpejt do të kenë edhe ata makina të shtrenjta nëse jetojnë në Angli”, thotë Blerim Rexhaj, 24 vjeç, pronar i “Britain”, një bar i ri i mbushur me klientë që pinë kafe e birra teksa në sfond dëgjohet muzikë shqiptare.

Ndryshe nga të tjerët, ai u kthye nga Londra për të punuar në Has.

Pasi mbërriti në Angli me kamion në moshën 14 vjeç, ai u fut në një qendër kujdesi si fëmijë e pashoqëruar e më pasi studioi inxhinieri elektrike në një kolegj në Uxbridge.

“Shkova në Angli sepse kisha një xhaxha që jeton atje e që më premtoi të më ndihmonte”, më tregon.

“Ai ka biznes qiradhënieje dhe drejton dy lavazhe. Kur lashë kolegjin, më dha shansin të punoja për të. Kurseva pará. Punoja me orë të gjata dhe kam bërë edhe shumë punë të tjera”.

Blerimi sipërmarrës mund të bënte mirë kudo. Ndonëse nuk u dëbua nga Britania si emigrant i paligjshëm, nuk e mori kurrë lejen e qëndrimit. Kjo gjë e mbante pezull dhe e shqetësonte.

Vitin e kaluar u kthye në Has dhe i përdori paratë për të hapur lokalin bashkë me dy vëllezërit, të cilët nuk janë larguar kurrë.

Nuk ishte punë e lehtë. I bën vetë pizzat, sepse nuk mund të gjejë staf. “Gjashtë nga kamerierët e kuzhinierët kanë ikur në Angli brenda pak muajve. Donin të shkonin për sa kohë që çmimi i varkave ishte i lirë”, shpjegon. “Është gjë e trishtuar për Hasin”.

Jashtë barit është një pikturë e Big Ben dhe modeli me përmasa reale i një kabine të kuqe telefonike angleze, blerë për 2000 paund në internet.

Ndërkohë, në bashki, kryetari tregon vështirësitë e jetesës atje për shkak se nuk ka punë.

“Pagat e atyre pak që kanë punë janë të ulëta. Edhe pse drejtoj qytetin, unë paguhem vetëm 680 paund në muaj. Por kostoja e jetesës, ushqimi, karburanti, kushtojnë njësoj si në Angli. Do të ishte katastrofë e madhe nëse fëmijët nuk do të kishin ikur, sepse ata iu dërgojnë pará nënave, baballarëve, vëllezërve e motrave. Mbi 8 familje në 10 mbahen nga ata. Edhe ata që kanë punë marrin ndihmë shtesë nga fëmijët në Angli”.

Pas tavolinës së tij është një fotografi e Mbretëreshës, me kapele gurkali, teksa përshëndet me dorë e buzëqeshur.

Kryetari thotë se do ta përdorë foton si model për një statujë të monarkes britanike që ka ndërmend ta vendosë në mes të një rrotullameje në qendër të qytetit.

Paratë për të financuar këtë ide të jashtëzakonshme do të mblidhen duke bërë thirrje për donacione nga mijëra hasjanë që jetojnë në Britani.

“Mendoj se do të dhurojnë bujarisht. Dhe ka shumë prej tyre”, thotë, me një shkelje syri.

Pastaj shton me ton më serioz: “Lidhjet midis vendeve janë shumë të ngushta, njerëzit e qytetit tim e shohin Mbretëreshën tuaj edhe si Mbretëreshën e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *