• Wed. May 1st, 2024

Nuk e konsideroj kurrë si sakrificë punën për Kukësin dhe kuksianët, por si detyrë dhe përgjegjësi para fëmijëve të mi dhe Kukësit!

Nga Admir Sinamati

I dashur Doktor Berisha!

Të nderuar vëllezër e motra, bij e bija të Lumës, Gorës, Malziut, Hasit e Kosovës që jeni këtu e kudo që ndodheni, në Shqipëri e diasporë!

Të rinj e të reja, shpirti dhe zemra e Kukësit!

Jam sot para jush më i fortë e më i motivuar se kurrë për të fituar thellë më 14 Maj e për t’ia kthyer pushtetin kuksianëve të nëpërkëmbur e diskriminuar!

Jam me ju

-falë mbështetjes tuaj të pakufishme,

-inkurajimit të nënave dhe baballarëve ,

-buzëqeshjeve të fëmijëve tanë engjëllorë,

-dëshirave dhe ëndrrave të parealizuara të rinisë kuksiane,

-kërkesës insistuese të intelektualëve, të diplomuarve dhe studentëve,

-besimit të qytetarëve të papunë,

-profesionistëve të larguar nga administrata për shkak të mospajtimit me partinë shtet

– nevojës së të sëmurëve, të invalidëve dhe personave me aftësi ndryshe;

Bashkë do të bëjmë gjithçka mundemi për të rrëzuar kalbësirën e vetëquajtur ‘Rilindje’, këtë klan mafiozo-politik që e ka marrë peng vendin!

Jemi vetëm 7 ditë larg momentit kur ne, me votën tonë, do të hapim një mundësi të artë për të filluar përmbylljen e një cikli vrasës të shpresës së shqiptarëve, rrëzimin e shpurës së Edi Ramës në Kukës dhe kudo në Shqipëri!

Gjatë këtyre ditëve ne kemi takuar me mijëra njerëz të thjeshtë, punëtorë, fshatarë, të rinj e të reja, burra e gra, pensionistë e të vetëpunësuar, e nga të gjithë kemi marrë bekimin për të përmbyllur me sukses misionin tonë për shpëtimin e Shqipërisë!

Kuksianët kanë vendosur që me datë 14 Maj të ndëshkojnë me votë diskriminimin, të largojnë me turp nga këtu shkaktarët e shpopullimit të Kukësit, të shporrin nga zyrat e Bashkisë injorancë, dhunën dhe përndjekjen, të largojnë nga kurrizi I tyre barrën e rëndë të korrupsionit dhe grabitjes!

Kukësi mezi po e pret ditën të marrë frymë i lirë dhe krenar. Për të gjitha këto, me 14 Maj, le të bëhemi bashkë, të djathtë e të majtë të ndershëm, si qytetarë të lirë, të inspiruar nga shpirti liridashës, patriotik dhe demokratik, të votojmë me besimin në Zot, me dashuri për familjen dhe detyrimin para Kombit për Koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Para nesh kemi një qeveri në fazë dekompozimi që mban erë të rëndë korrupsioni, vjedhjeje, grabitjeje, dhune dhe përbuzjeje.

Arroganca dhe papërgjegjshmëria e pushtetit të ‘Rilindjes’ në Kukës, e maskuar me propagandë dhe injorim, i kanë shkaktuar një dëm të parikuperueshëm vendlindjes tonë. Ata, falë urrejtjes për njerëzit, kanë sjellë këtu mes nesh antivlerat, duke bërë që qytetarët të humbin shpresën, ndaj jemi këtu për të mbjellë frymëzim, shpresë, besim e Zhvillim..

Gjatë udhëtimit tonë elektoral ne kemi parë se veç milionave të vjedhura nëpërmjet bojatisjes së disa pallateve, shtrimit të një tapeti asfalt mbi rrugë plotësisht normale, rikonstruksionit 1.5 miliardësh të gjimnazit ‘Havzi Nela’, shtrimit dhe asfaltimit te afro tre kilometër rrugë në Shtiqën, Nangë dhe Kolsh, asgjë nuk ka ndryshuar në të gjithë territorin e Kukësit.

Kemi parë rrugë të paasfaltuara dhe të pamirëmbajtura kudo ku shkel këmba jashtë unazës së qytetit. Fshatra totalisht të braktisur nga dora e shtetit. Njerëz që nuk janë pritur e takuar kurrë më parë së fillimi i fushatës, e tashmë nga ish kryetari 8 % ledhatohen e përkëdhelen, e diku-diku shantazhohen hapur e mashtrohen sistematikisht.

Njeriu ‘supermen’ i 2019-ës ka marrë përrallat e treguara asokohe, i ka botuar në një rëvistë rrenash e po i shpërndan nëpër Kukës duke i përdorë si ‘gomerdare’ në oqeanin e mashtrimit ku është zhytur.. Ehh çfarë mallkimi i ka ra me kalue Kukësit Tonë!

Në fakt këto përralla ngjajnë më këngët e pakëndueme. Ajo revistë rrenash do ngelet si një kujtim qesharak për të gjithë fushatat në vazhdim.

Kukësi nuk bindet me letra të ilustruara e as me premtime të përsëritura në forma të ndryshme e kohë fushatash. Kukësin e bind fjala e dhënë e besa e mbajtur. E ne i kemi këto të dyja sepse kemi dhënë prova për këtë. Edhe unë si entuziasti më i madh kam qene asokohe skeptik për ndërtimin e ‘Rrugës së Kombit’ por ajo është realitet sepse Doktor Berisha është Burri i madh i fjalës së dhënë e besës së mbajtur. Po ashtu, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe ndërtimet e pafundme ne infrastrukturë janë fryt i punës me dorë në zemër dhe dëshirë prindërore, ndaj ne kemi arsye të mbështetemi për programin tonë për zhvillimin e qëndrueshëm të Kukësit dhe Shqipërisë.

Ne do të bëjmë gjithçka që të shpenzojmë me transparencë të plotë çdo qindarkë të taksave dhe tatimeve të qytetarëve kuksiane. Do të bëjmë çmos që të ndërtojmë infrastrukturë rrugore te domosdoshme si Rruga e Surrojit, rruga e Grykë-Çajës, Rruga e Zapodit, Rruga e Brekijes, etj.

Do të bëjmë realitet rehabilitimin infrastrukturor te ‘Lagjes së Re’ në Kukës.

Zotohem para jush se do bëjmë realitet përmirësimin e furnizimit me ujë të banorëve me synimin që deri në fund të mandatit Kukësi të ketë 24 orë ujë në çezma.

Do të bëjmë të pamundur që Kukësit ta futim në hartën më tërheqëse turistike të Rajonit.

Ne do e ndërtojmë ‘Unazën e Bjeshkëve’ tona të mrekullueshme. Do i rivitalizojmë kullat e të parëve tanë për t’i shndërruar në bujtina dhe atraksione turistike për vendas dhe të huaj.

Shkollat, kopshtet e çerdhet e fëmijëve tanë do të kenë përkujdesje prindërore që asgjë të mos u mungojë nxënësve dhe edukatorëve për kushte normale edukimi dhe pune. Do te punojmë pa u lodhur që bujku e blektori të mos ndjehen të braktisur e harruar. Do krijojmë klimë të ngrohtë për biznesin e vogël dhe atë të madh duke ofruar gjithçka mundemi fale një administrate të përgjegjshme, profesionale dhe korrekte.

Premtojmë se çdo biznes që punëson më shumë se 25 punonjës nuk do të taksohet nga Bashkia për vitin e parë të aktivitetit.

Do të krijojmë kushte juridike dhe klimë të ngrohtë administrative për të joshur ardhjen e bizneseve te mëdha ne Kukës.

Ne do bëjmë të mundur që nëpërmjet politikës miqësore me mjedisin, për të mbajtur pastër dhe pa ndotje qytetin dhe fshatrat tona. Unë do të jem bashkë me qytetarët për të ndaluar projektin vrasës për inceneratorin e Perbregut. Do te gjejmë vend alternative dhe mënyrë alternative për trajtimin e mbetjeve urbane.

Do sjellim të rinjtë e shkolluar në Kukës për të kotribuar në profesione dhe ndërtimin e një shoqërie sa më shpresëdhënëse falë politikave të meritokracisë dhe lehtësimit të kushteve për punësim dhe strehim.

Të dashur vëllezër dhe motra

Unë vij si pedagog nga auditori i Universitetit jo për përfitime personale apo klanore, por jam në një mision i ftuar nga Kuksianët e mi. E çmoj pafund mbështetjen Tuaj. Nuk do e konsideroj kurrë si sakrificë punën për Kukësin dhe kuksianët, por si detyrë dhe përgjegjësi para fëmijëve të mi dhe Kukësit!

Ne duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë kohën e humbur!

Rroftë Kukësi!

Zoti i bekoftë kuksianët kudo janë!

Fitore!

#voto2admirsinamati

#kukësinëduartetua

#BashkëFitojmë

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *