• Mon. May 6th, 2024

Takim madhështor në Kukës/ Berisha: Fitoren tonë të pamposhtur, nuk e mposhtin dot as paratë, as kërcënimet

Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi takimin elektoral të radhës me kandidatin për Bashkinë Kukës, Admir Sinamati. Duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve, dhe duke iu kërkuar të bëjnë zgjedhjen e duhur më në zgjedhjet lokale, Berisha tha se vota e 14 Majit është votë misionare për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri.

Lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh se Rama i shpalli luftë të ftohtë Kosovës nga Tirana, duke e quajtur Vuçiçin vëlla dhe Albin Kurtin kundërshtar, ndërsa Ramush Haradinajn e paditi në gjykatë.

Kryetari i PD, Sali Berisha i drejtoi thirrje të forta nga podiumi, Safet Gjicit, se me ardhjen në pushtet të PD do t’i hiqet shtetësia shqiptare për turpet që ka bërë dhe vjedhjet që ka kryer.

Berisha iu drejtua Ramës dhe Gjicit, se po bien daullet e luftës, dhe se fitoren e 14 majit nuk e mposhtin dot as paratë, as manipulimet dhe as presionet e tyre.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, banorë të Kukësit.

Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme, për këtë takim të zjarrtë.

Mbetem për jetë të jetëve mirënjohës ndaj jush.

I dashur zoti Isuf Çelaj, drejtues politik i zgjedhjeve në qarkun e Kukësit.

E dashur zonja Mimoza Hajdarmataj, anëtarë e kryesisë së PD-së.

E dashur zonja Elezi, kryetare e PD-së së Kukësit.

I dashur kandidati ynë dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë së Kukësit, Admir Sinamati.

I dashur zoti Elez Maçi, kryetar i PD-së së Hasit.

Myftar Dauti, kryetari i ardhshëm i bashkisë së Hasit.

Miqtë e mi, Urim Muja dhe Safet Sula, ish-deputet dhe drejtues.

Të nderuar!

Unë vij sot me një kënaqësi të veçantë, të kërkoj votën këtu për Admir Sinamatin, një nga bijtë tuaj më të shquar. Një nga kuksianët më të virtytshëm, një intelektual të vërtetë, profesionist i klasit të parë, por mbi të gjitha një humanist, një njeri, që don Kukësin, që don qytetarët e Kukësit, një atdhetar një patriot që do Shqipërinë.

Ju e dëgjuar programin e tij. Ju garantoj se Admiri me kujdes të madh, me vizion të kthjellët, me përkushtim do të bëjë realitet programin e tij, do të bëjë gjithçka që të lehtësojë jetën tuaj, që pasuritë e pafundme të këtij rrethi të shndërrohen në mirë, në radhë të parë për banorët e tij.

Miqtë e mi!

14 maji është dita në të cilën ju vendosni për qytetarin e parë të Kukësit, për kryetarin e bashkisë. Por kësaj radhe vota juaj është një votë misionare, sepse duke votuar për Admir Sinamatin, ju keni rivendosur pluralizmin në Shqipëri.

Duke votuar për Admir Sinamatin, ju njëkohësisht ju keni dhënë ndëshkimin e merituar, Edi Ramës armik i betuar i Kukësit dhe gjithë veriut të Shqipërisë. Antishqiptar i paprecedentë. Ju garantoj se në historinë e veriut dhe të Kukësit, pas car Dushanit dhe Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër.

Do analizojmë pak. Në vitin 2013, akti i parë i urrejtjes ndaj jush, ndaj banorëve të qarkut, ishte heqja e ndihmës ekonomike për 20 mijë familje. Por ai që e njeh Kukësin, ai që i njeh fshatrat e qarkut, nga Curraj i Epërm në Kala të Dodës, ai e di se as 10% e familjeve nuk mund të vetëmbahen pa ndihmën e shtetit. Ai e di se 80% e familjeve meritojnë 100% ndihmën ekonomike.

Çdo qeveritar i vendit e din se qarku i Kukësit, jo më i varfër në Shqipëri, është qarku më i varfër i Europës. Dhe ky i pashpirt mori e hoqi me një të rënë të lapsit 20 mijë familje, vetëm e vetëm se pse nuk e votuat. Vetëm e vetëm se u qëndruat besnikë idealeve tuaja.

Edi Rama zhyti Shqipërinë në varfëri sa asnjëherë tjetër në 8 vite. Edi Rama përjashtoi veriun nga investimet. Po vijmë nga Kruma dhe Myftari tregoi aty se ish-kryetari i bashkisë Krumë, socialist kalonte nga fshati në fshat. Tu them të vërtetën mua më bëri përshtypje pozitive, sepse njeriu pendohet, pendesa është gjëja më normale dhe shkonte në çdo fshat dhe u thoshte; shikoni unë e lashë këtë detyrë, por 4 vite kam marrë zero investime nga qeveria e Tiranës. Zero investime.

Pra e thashë këtë për trajtimin armiqësor, për diskriminim racist që ai u ka bërë zonave të veriut. Një vit kam llogaritur investimet në të gjithë veriun. Ishin, 1/3 e rrasave të gurit në sheshin Skënderbej. Absolutisht kjo.

Pra ky ishte një pushtetar antishqiptar. Përveç kësaj, Edi Rama është një vegël, është një argat, vasal i Aleksandër Vuçiç, të cilit po i vjen fundi për krimet që ka kryer dhe mbrapa po i vjen edhe Edi Rama. Se ai ka Bjellivukun edhe ky ka Bjellivukët e tij. Po. Po.

Edi Rama, ju e dini gjatë këtyre viteve në pushtet bëri gjithçka dhe po bën gjithçka që të mbështesë Vuçiçin, i shpalli luftë të ftohtë Kosovës nga Tirana. Vuçiçin e kam vëlla, këtë e kam kundërshtar. Tjetrin e padiste. Mirëpo këtë mund ta bëjë vetëm një antishqiptar. Ne nuk kemi kundërshtim që të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, por në çdo rrethanë dhe në çdo kohë, për ne Kosova është e para dhe nuk ka asnjë lloj dyshimi, ne jemi një komb dhe atë që keni bërë ju, atë që ka bërë Hasi, Tropoja dhe atë që ka bërë mbarë Shqipëria.

Pra, një e dy, e kam për nder miqësinë me Vuçiçin, por kush është Vuçiçi. Ai është njeriu i regjistruar me zë dhe figurë në parlamentin serb, por edhe në intervista të tjera ku thoshte se për një serbe të vrarë, do të vriten 100 myslimanë. Kjo ishte doktrina e gjenocidit të nazistëve. Edhe ai e ka shprehur me dhjetëra herë këtë.

Pardje deklaronte Nju Jork Times se, bënte gjahun e shqiptarëve nëpër Beograd si huligan. Ky është miku i Edi Ramës. A ka gjë të përbashkët me demokratët, me socialistë, me qytetarët e paparti të Kukësit ky njeri. Absolutisht asgjë. Ndaj dhe 14 maji është një ditë për Shqipërinë, është një ditë për atdhetarinë është një ditë për ndërgjegjen kombëtare të çdo njeriu.

Po marr këtë që ka vënë ky këtu, Safetin. Safet, me aktet që ke bërë të kesh turp, dhe do të të hiqet qytetaria e Kukësi, sikundër sapo të vijë PD do të ta heqë shtetësinë fare. Safet, se cili është pasioni yt për dorë e për lekë, atë e ka marrë vesh e gjithë Shqipëria, e jo më Kukësi. Zoti i ruajttë bankat nga ti, këtë them.

Por, pasioni yt për krimin elektoral të jesh i bindur që do të të ndjekë deri në ditën e fundit të jetës tënde. Shpërndaj sa të duash pata, do të përgjigjesh deri ditën e fundit, dhe je i pashpresë.

Por, shtetësia, qytetaria nga Kukësi do të të hiqet, dhe shtetësia shqiptare do të të hiqet për aktin makabër që ke kryer ti. Ke prishur përmendoren e gjenocidit të Lumës. Gjenocidi i Lumës, është i përshkruar në gjitha traktatet botërore të gjenocidit. Gjenocidi i Lumës është i konfirmuar nga komisione serioze më ndërkombëtare.

Safet, shko pak në Pobreg. 420 fëmijë, burra e gra janë djegur si në kasaphanë. Shko në Topojanë, 620 në 2013 e me rradhë. Çfarë kishe ti me përmendoren e tyre? Turp, e faqe e zezë! Shqiptar nuk je më! Ndaj edhe, ishte grumbull gurësh. Kështu e kanë shqiptarët në kodin e tyre, morana kanë ngritur ata për të nderuar të vdekurit gjithmonë. Morana ka qenë monumenti i nderimit të të vdekurit për shqiptarët. Po ti nuk je shqiptar, çfarë shqiptari je ti? As kuksian, as shqiptar nuk je ti. Ti duhet të ikësh natën.

Po në qoftë se t’u dukën grumbull gurësh, pse nuk more arkitektë, pse nuk more artistë dhe të bënin një monument, t’i nderonim ata fëmijë që janë djegur të gjallë në mullarët e barit në flakë nga barbarët. Me dëshmi të panumërta ndërkombëtare. Jo, Safet! Ti e bëre për vëllanë e Vuçiçit, Edi Ramën. Të tha ai: ma hiq se ma ka kërkuar Vuçiçi këtë. Asnjë kuksian nuk duhet ta votojë atë. Nuk ndërtohen marrëdhëniet në këtë mënyrë, duke shkelur mbi gjakun dhe eshtrat e njerzve të tu.

Askush nuk e bën. Asnjë komb i qytetëruar nuk e bën këtë. Aq më tepër kur gjenocidet nuk shuhen kurrë, nuk parashkruhen kurrë në të gjitha ligjet e botës, përveçse Safetit që merr e shkelmon me Edi Ramën.

Zgjedhjet këtu në Kukës janë për të gjithë Shqipërinë. Kukësi duhet të ndëshkojë Edi Ramën dhe Safetin. Le t’i dekorojë Vuçiçi. Këtu nuk duhet të kenë vend

Pas 8 vitesh në pushtet, pasi rrogat dhe pensionet sot për fuqinë blerëse për shkak të rritjes së çmimeve janë të paktën 40% më të ulëta se në vitin 2013. Pasi vetëm nga rritja e çmimeve nga viti 2021 në vitin 2022, secili qytetar shqiptar ka shpenzuar 430 mijë lekë për ushqime më shumë.

Po pse? Sepse ky i ngriu rrogat, pensionet, çmimet nuk i ngrin dot askush. Çmimet ecin, kanë ligjin e tyre natyral. A kishte ky mundësi të rriste rrogat dhe pensionet, t’i dyfishonte, siç u dyfishuan në vitin 2005-2013? 100%, pa asnjë vështirësi. Ky dyfishoi taksat. Buxheti i tij ishte 5 miliardë euro. Buxheti ynë ishte 3 miliarëdë euro, se ne kishim përgjysmuar taksat. Po ku shkuan paratë?  I vodhi, i vodhi, i vodhi!

Ndërton kilometrin e rrugës me 24 milionë euro. Firmos për djegësat. Mafie e tmerrshme, në asnjë mënyrë djegësat në Kukës, s’kanë punë me të. Firmosi djegësat, 420 milionë euro. Asnjë nuk ekziston. I është përveshur portit të Durrësit tani me një arab. Do që të bëhet miliarder si ai.

Ndaj edhe, zgjedhjet në 14 maj, janë zgjedhje për fatin e Kukësit dhe të Shqipërisë. Vjen këtu hedh valle. Merr Safetin dhe Rexhën dhe kërcejnë. Ia thashë dhe në Tropojë, po ia them Safetit këtu. Ai nuk ishte kërcimi i Tropojës, ishte vallja e lekëve. Se vetëm vallen e lekëve mund të kërcejnë këta, asnjë valle tjetër nuk kërcejnë dot këta.

Safet, dhe në këtë kontekst me ty dhe Rexhën kam një fjalë të veçantë. Të dy ju, më datën 15 do të themeloni partinë e pabesisë. Se ju pasi tradhëtuat, u paraqitët si socialistë. Absolutisht, asgjë të përbashkët nuk keni ju me asnjë socialist, me asnjë demokrat, me asnjë të pa parti. Ju thjesht jeni vegla të Edi Ramës. I shërbyet atij kunder interesave temelore të komuniteteve që përfaqësoni. Është e gjatë data 14 për tu larguar ju.

Ndaj edhe, do ta mbyll me këtë mesazh për Edi Ramën. Kam ardhur këtu një vit më parë binin daullet. Të njoftova se ato janë daulle lufte. Të thashë, nuk janë dasme.

Tani, data 14 po afron. Mbathja nga Kukësi, mbathja nga veriu, mbathja nga Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore! Më 12 maj në ora 7, i gjithë populli opozitar në Tiranë. Fitorja jonë është fitorja e idealeve të burrave dhe grave të pamposhtur. Nuk e mposht dot asgjë! As paratë, as kërcenimet, as presionet. Ne do fitojmë!

Rrofshi ju, rroftë Kukësi, rroftë Shqipëria!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *