
Qytet i ndaluem për ne prej vitit 1948, gati-gati nuk kena guxue me ja përmend as emnin. E kemi përmend në shkollë veç prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në landën e historisë. Prizrenin e kishim para syve prej rrëfimeve të t’parëve tanë, prej rrëfimit të ndonji vizitori (shumë i rrallë asokohe).
Prizreni i lashtë me vasha t’bukra shëtiste në andrrat e rinisë së qytetit Kukës…
Në fakt na e ndaluen fizikisht por jo shpirtnisht!
Prizreni ishte te ne nëpërmjet valëve të Radio-Prizrenit, nëpërmjet RTPrishtinës (i pranishëm në çdo shtëpi kuksiane).
Ishte i pranishëm Prizreni me Njazi Bytyqin dhe grupet e famshme ku ai ka interpretue (avi Marimangat, avi Therandosët, avi Lunjas), solistin Besnik Krajku, Menan Kiserin me MENKIS, Agim Tejecin, Alajdin e Gani Gjinin me avi AIDA, Din Kukaj e Kujtim Gërmizin me avi ELONIDA, Naxhi Kuçanin, Përparim Dushin, Antoneta e Ermira Delhysën etj…
Ishte i pranishëm me shoqninë kulturore “Agimi”, me solistët dhe kangët e interpretueme prej artistëve të ktij ansambli…
Ma n’fund u poqëm me Prizrenin legjendar në qershor të vitit 1999.
Ditën e hymjes së trupave gjermane të KFOR në doganën e Vërmicës, djemtë e Lumës e shkoqën flamurin e shkijeve.
Në Prizren dikur shpirtnisht tash edhe fizikisht!
Radio e makinës në udhtimin e parë drejt Prizrenit kumbonte me hitin “Prizreni, qytet legjendar”, të interpretuem prej artistit Luan Hajra, kangë kjo e komponueme prej Njazi Bytyqit.
Vizita e parë te familja e legjendës Njazi Bytyqi. E gjetëm menjiherë shtëpinë e poshtë saj takuem fillimisht dy djemtë e tij: Gjulianin dhe Elvisin.
Legjenda, legjendë!
Menjiherë kitarën e lot mallëngjimi bashkë me shokët e mi…
M’dukej sikur nuk kisha mungue asnjiherë, m’dukej sikur kisha jetue gjithmonë aty.
Shadërvani me ujin e vet t’bekuem na thirri me na freskue at natë të nxehtë qershori, na njohu
mes turmës së ekzaltueme të njerzve në liri.
E Prizreni i rinisë, andrrave, ishte aty, me Lumbardhin që gjarpnonte drejt Drinit, me vashat e bukra që shëtisnin në udhët e lashta e plot njerëz të hijshëm.
Shëtitja jonë e parë që vazhdoi gjatë drejt mesnatës, do të pasohej nga shumë të tjera për gati nji çerek shekulli, me dashninë e përhershme për andrrat tona, për rininë tonë, për Prizrenin tonë…
Fotoja ilustruese: “Prizreni”, punim i artistit Mujë Nuhiu