• Sun. Apr 28th, 2024

Sinamati: 14 maji, dita kur do ndahemi nga sundimi anadollak, por edhe dita e një fillimi të mbarë në shërbim të qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka prezantuar gjatë ditës së djeshme kandidatin e opzitës për bashkinë e Kukësit mjekun Admir Sinamati. Një pritje madhështore dhe një takim entuziast ishte organizuar në Kukës.

Në këtë takim para fjlës së kreut të PD, kandidadati Sinamati, mbajti një fjalim në të cilin preku pikat themelori të programit të tij dhe projektit të tij zhvillimor për Kukësin.

“Unë nuk e shoh 14 Majin vetëm si një ditë kur duhet të ndahemi nga sundimi anadollak, por edhe si një ditë e fillimit të mbarë për punë të mira e në shërbim të barabartë për gjithë qytetarët. Zgjedhjet nuk i kam parë si një mundësi për të ndërruar emrin e kryebashkiakut të Kukësit por një mundësi e artë për të sjellë një mendësi dhe performacë perëndimore të udhëheqësit lokal”, tha Sinamati.

Fjala e plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër kuksianë që jeni këtu në sallë dhe kudo që ndodheni, të nderuar anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike!

i nderuar deputet i qarkut tone z. Isuf Çela,

I nderuar akademiku jone Prof. Shefqet Hoxha,

i nderuar z. Besnik Dusha së shpejti kryetar Bashkisë së Malësisë se Gjakovës,

i nderuar z. Miftar Dauti kryetari i padiskutueshëm i Bashkisë Has,

i nderuar z. Arjan Hoxha Kryetar i Bashkisë Kamëz pas 14 Majit,

I nderuar miku im e së shpejti kryetar i bashkisë Dibër z. Ismail Uka

i nderuar z. Safet Sula –ish-kryetar i Bashkisë së Kukësit e ish- deputet i Kuvendit të Shqipërisë,

i nderuar zoti Elez Maçi kryetar i PD Has,

i dashur miku im Urim Muja-themelues i degës së PD Kukës,

më lejoni që në emrin dhe besimin tuaj të falenderojmë me përulje dhe mirënjohje të pakufishme që falë bekimit të Zotit sot, këtu në Kukës kemi në mesin tonë liderin tonë historik, Burrin e madh të kombit shqiptar, kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Prof.dr. Sali Berisha!

Mirë se keni ardhë në këtë takim kaq entuziast dhe faleminderit që jemi bashkë për të dhënë mesazhin e bashkimit të Dibrës, Lumës, Malziut e Gorës, Malësisë së Gjakovës e Hasit, dhe kështu së bashku të përçojmë tek gjithë shqiptarët se ka ardhë ora e shpresës, koha e ndryshimit, moment i fitores sonë mbi diktaturën e korrupsionit, organizatën mafiozo-politike të Edi Ramës, mbi çetën e kokainës dhe kanabisit, mbi hajdutët e pasurive publike dhe xhepave tanë.

Unë jam i mrekulluar dhe ndjehem i privilegjuar që përfaqësoj demokratët zemërluanë të Kukësit, qytetarët e ndershëm me bindje të majta e ato pa parti, intelektualët e pakompromis, profesionistët, mjekët, inxhinierët, mësuesit, pensionistët, të papunët, të rinjtë dhe të rejat gjimnazistë e studentë e bashkë me ta, për ta, për Kukësin e Shqipërinë do të fitojmë bindshëm e thellë më 14 Maj.

I dashur Doktor, herë më duket si dje por hera-herës më duket si një shekull më parë dita kur unë iu bashkova formacionit Tuaj të qëndresës, formacionit studentor pranë Partisë Demokratike në vitin e mbrapshtë të rrebelimit komunisto-sllav të vitit 1997. E vlerësoj si kohën më të çmuar të jetës simë, pasi së bashku me një grup të rinjsh studentë idealistë u shdërruam në fidanishten dhe fortesën e patriotizmit, idealizmit të kristaltë shqiptar, gardianë të idealeve të Lëvizjes studentore të Dhjetorit ‘90 e falë lumejve të djersës, mundit dhe sakrificave të pafundme arritëm të jemi kontributorë të fitores së thellë në vitin 2005.

Si unë edhe shumë bashkëpunëtorë të tjërë, menjëherë pas fitores iu rikthyem llogoreve te profesioneve tona, por çiltërsinë dhe idealizmin tonë e shfrytëzuan një duzinë mashtruesish, hileçarë e servilë që iu futën në gji Partisë Demokratike duke e konsideruar atë si një ndërmarrje fitimprurse që aksionet e anëtarësisë së saj mund t’I këmbenin në monedhë e karrige shehiku në opozitë.

Bash për këtë arsye ne idealistët e ’97-2005 iu ribashkuam fuqishëm e menjëherë Partisë Demokratike pas 9 Shtatorit 2021, e ftuam profesorin dhe liderin tonë doktor Berishen per të na udhëheq edhe njëhërë dhe në emër të të gjithë demokratëve dhe intelektualve.

Ju falenderoj Doktor që thirrja jonë mori përgjigje pozitive.

Provën e parë ne e kaluam me sukses me 6 Mars 2022 me vëllaun e mikun tonë Bardh Spahinë në Shkodër e më 14 Maj do të përsërisim këtë sukses me Belindin në Tiranë, me Ledina Aliollin në Korçë me Zija Ismailin në Berat, me Luçiano Boçin në Elbasan, me Igli Carën në Durrës, Arjanin në Kamëz me rikonfirmimin e Bardh Spahisë në Shkodër e padyshim nga Kukësi do të dërgojmë kudo lajmin e fitores; me hartë totalisht blu ne rrang Qarku.

Të nderuar miq, unë jam para qytetarëve kuksianë jo për të fituar një karrige kryebashkiaku, por për të ofruar vetveten në rolin e një kryeshërbëtori.

Unë nuk e shoh 14 Majin vetëm si një ditë kur duhet të ndahemi nga sundimi anadollak, por edhe si një ditë e fillimit të mbarë për punë të mira e në shërbim të barabartë për gjithë qytetarët. Zgjedhjet nuk i kam parë si një mundësi për të ndërruar emrin e kryebashkiakut të Kukësit por një mundësi e artë për të sjellë një mendësi dhe performacë perëndimore të udhëheqësit lokal.

Votbesimin nuk e kërkoj thjeshtë e vetëm për të qenë një administrator lokal për të bërë rrugë, infrastrukturë e mbikqyrje territori por e çmoj si një mision për të sjellë aromë dhe frymë lirie në Kukës.

Unë vendosa të kandidoj për kryetar Bashkie në Kukës për t’iu dhënë shpresë dhe frymëzim të rinjve të mrekullueshëm të Kukësit. Jam këtu për të stimuluar të sapodiplomuarit, që ata të kthehen në Kukës dhe të ndërtojnë jetën këtu si qytetarë të denjë e të vlerësuar.

Misioni im është frenimi i shpopullimit të Kukësit nëpërmjet krijimit të kushteve për nxitjen e punësimit, shtimin e bisneseve të vogla, lehtësimin e klimës së instalimit të bisneseve të mëdha.

Unë zotohem se do të bëj gjithçka mundem që në Kukës të ndjehen si në shtëpine e tyre jo vetëm shqiptarët nga katër anët e vendit, por edhe qytetarë e turistë nga mbarë bota. Ne synojmë ta rikthejmë jetën dhe aktivitetin studentor në Kukës nëpërmjet rihapjes së degëve të fakulteteve të ndryshme qoftë publike apo private të mbyllura brutalisht nga Edi Rama, do të këmbëngulim në krijimin e arsimit profesional në Kukës.

Do ta bëjmë Kukësin një shtëpi të adhuruar nga të apasionuarit e natyrës, kulinarisë dhe turizmit malor dhe kulturor.

Do të bëjmë të pamundurën jo vetëm të ndërtojmë rrugë lagjesh e fshatrash por do të qetësohemi kur të fillojmë e përfundojmë ndërtimin e korridoreve turistike te bjeshkëve tona të mrekullueshme, për t’i shndërruar ato në oaze ekonomie dhe shëndeti jo vetëm për banorët lokalë por për të gjithë të dashuruarit e natyrës kuksiane.

Unë do jem një guardian i ndershëm dhe i palëkundur për mbrojtjen me fanatizëm të pasurive të përbashkëta të mbitokës dhe nëntokës që Zoti i ka falë Kukësit dhe do këmbngul që të përfitojnë prej tyre njësoj e padallim banorët e çdo pëllëmbe toke e Kukësit.

Unë do të bëj gjithçka për të nxitur dhe stimuluar zhvillimin e blegtorisë. Alarmi për zvogëlimin drastik deri në zhdukjen e deles Rude si rraca autoktone e këtyre bjeshkëve na fton per të miratuar një moratorium mbrojtjeje dhe përtëritje të kësaj pasurie të trashëguar nga të parët tanë. Vreshtaria, pemtaria, bimët medicinale dhe aromatike duhet dhe do të jenë ne fokusin e mbështetjes pa rezerva nga ana e pushtetit lokal.

Unë dhe bashkëpunëtorët e mi do të punojmë me mish e me shpirt për të ruajtur të paprekur trashëgiminë kulturore, historike, gjuhësore, etnografike, për të vlerësuar gjakun dhe varret e të parëve tanë, jo thjeshtë duke lyer fasada e bërë koncerte bajate por duke mirmbajtur vendbanimet historike, rindertimin dhe ruajtjen e kullave karakteristike, duke stimuluar artizanatin e Lumës dhe nxitur të rinjtë për të dashuruar epikën historike dhe folklorin.

Sporti në këndvështrimin dhe bindjen time është një fushë krenarie e forcës, inteligjencës dhe qëndresës ndaj stimulimi dhe qëndrimi im do të jetë në këtë frymë, ruajtjen e shëndetit dhe kalitjes dhe jo të trajtohet si një oaz për baste dhe përfitime kriminale nëpërmjet trukimeve.

Unë gjatë ditëve në vazhdim do të shpalos para jush dhe banorëvë të Kukësit programin tim dhe te Partisë Demokratike por shfrytëzoj këtë moment kaq solemn për t’u zotuar para jush dhe gjithë kuksianëve kudo ndodhen se jam më i motivuar se kurrë për të justifikuar besimin dhe mbështetjen e dhënë për gjatë gjithë kesaj kohe, njëkohsisht ftoj të gjithë ata që besojnë në vlërat e lirisë dhe pluralizmit që mos t’ë humbi asnjë minutë kohë por ta shfrytëzojmë atë për të mbështetur Koalicionin bashkë fitojmë si dhe kandidatët e këtij kualicioni që me 14 Maj Shqipëria të nisë një rrugë pa kthim drejt zhvillimit, lirisë dhe demokracisë.

Projektin tonë të fitores dhe zhvillimit të pandalshëm nuk e ndalojnë dot as anakronikët, as hajdutët e vetquajtur rilindas as mafia e veshur me kostum bamirësie. Devijimi kriminal i votës nëpërmjet punësimeve elektorale dhe fryerjes së tmerrshme të administratës, pagesave me para dhe lehtësira të përkohshme të kundraligjshme, pasaportizimeve elektorale selektive dhe mashtrimeve të çfardolloji janë shenjë e dukshme e tmerrit që i ka hyrë në palcë rregjimit.

Kukësi nuk falet, Kukësi nuk shitet, Kukësi nuk mbahet peng! Kuksianët mezi po presin ditën e lirisë! 14 maji do dhe duhet të jetë nje ditë e tillë!

Të gjithë bashkë do të rikthejmë shpresën për një të ardhme më të sigurtë për Kukësin, për gjeneratat e tjera, për ëndërrën tonë “Shqipëria vend i zhvilluar”.

Para jush deklaroj se Fitorja e thellë e 14 Majit është betimi im i palekundur.

Rroftë Partia Demokratike

Zoti e bekoftë Kukësin dhe çdo bijë e bir të tij kudo qofshin ato!

Fitore!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *