• Wed. May 1st, 2024

Sinamati: Unë kam hyrë për të fituar, kjo nuk është një betejë lokale, por një betejë për Shqipërinë

Admir Sinamati, kandidati i opozitës, i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Kukësit, gjatë një interviste në ‘A show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur për fushatë elektorale për zgjedhjet e 14 majit.

Gjatë bisedës me Adi Krastën, Sinamati u shpreh se, zgjedhjet e 14 majit nuk janë një betejë lokale, por janë një betejë për ndryshimin e Shqipërisë.

 ‘Sllogani ‘Ndryshimi është në duart e tua’ duhet të shikohet edhe në një kontekst tjetër. Nuk është thjeshtë që vetëm qytetarët mund ta bëjnë më të mirë, ose mund ta mbajnë peshën e përgjegjësisë. Për këtë janë përfaqësuesit politikë që i kanë dalë në ballë kësaj pune. Ne nuk jemi disa persona që na nxori rastësia, apo na katapultuan.

Ne jemi njerëz që kemi marrë përsipër që falë predispozicionit tonë qytetar, intelektual kemi shndërruar veten në misionarë në këtë proces. Ne jemi kandidatë që dalim nga zgjedhje të brendshme brenda PD-së, sepse kemi kaluar procesin e primareve.

Unë vij me votat e 1 mijë demokratëve kuksianë. Dal në terren për ti përfaqësuar ato, për të fituar për ato, për Kukësin dhe për Shqipërinë. Ne nuk e shohim fushatë lokale tipike, sepse po të shikosh kualitetet që garojnë për pushtetin vendor, janë kualitete.

Përveç se kanë marrë votëbesimin e anëtarësisë së PD-së, vijnë nga fusha specifike, të shërbimeve të ndryshme. Sita e demokratëve është një sitë e hollë. Janë konsoliduar, pjekur ai anëtarësi dhe dinë kë zgjedhin dhe vënë përpara për ti prirë drejt fitores.

Unë dhe gjithë kolegët e mi kandidatë, kemi dalë nga ky proces, dhe përveç se nga duart e elektoratit, ndryshimi është edhe detyrim i punës tonë të përditshme, i angazhimit tonë konkret në fushatë elektorale për ta bindur qytetarin se ajo për të cilën ne po investohemi çdo minutë, është e drejta është detyrë dhe është përgjegjësi mbi të gjitha.

Unë kam hyrë për të fituar. E kam bindje fitoren dhe nuk ka zgjedhje të dytë, unë nuk kam luksin të humbas. Jam i detyruar të fitoj për qytetarët e Kukësit, për Kukësin dhe për Shqipërinë. Nuk është thjeshtë një betejë lokale, e shoh përtej një beteje lokale.

14 maji duhet ti sjellë Shqipërisë cakun e ndryshimit të madh. Nuk mund të ndryshojë as Kukësi, as një qytet, apo zonë e Shqipërisë nëse ne nuk punojmë me mish e me shpirt për të ndryshuar realitetin, për të përmbysur regjimin, i cili ka mbajtur peng Shqipërinë gjatë këtyre viteve’, theksoi Admir Sinamati, kandidati për bashkinë e Kukësit, gjatë bisedës së tij me Adi Krastën në SYRI TV.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *