• Mon. Apr 29th, 2024

Studenti veterinar që studion në Tiranë nuk harron fermën e familjes në Bushat

Një histori frymëzuese është ajo që nga vjen nga fshati Bushati i Kukësit, ku një i ri vetëm 22 vjeç ka zgjedhur të studiojë mjekësinë veterinare dhe fundjavave ti përkushtohet fermës së familjes. Vilson Zela, përveç mbarështimit të bagëtive, kultivon dhe 50 dylym tokë në pronësi të familjes.

 

Vilson Zela 22 vjeç, nga fshati Bushat i Kukësit është ndër të paktët studentë të mjekësisë veterinare.

Në fillim kur zgjodhi këtë degë, kishte frikë se do gjykohej, por sot, në vitin e katër të studimeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, është shumë i lumtur që po ndjek gjurmët e babait të tij, i cili ushtron profesionin e veterinerit prej 40 vitesh.

‘Unë jam student i mjekësisë veterinare në vitin e katërt. Studioj në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kam bërë zgjedhjen e duhur që kam zgjedhur atë degë. Nga mentaliteti i zonës, kisha ca pikëpyetje, frikë. Të gjithë e mendojnë si një profesion të rëndomtë. Por, që kur vajta në fillim e kuptova që kam bërë zgjedhjen e duhur. Është një profesion i nderuar dhe respektuar. Tre vitet e para kanë të bëjnë me formimin e përgjithshëm. Në vitin e katër trajtojmë sëmundjet e kafshëve. Mund të bëjmë skemat e kontrollit të përgjithshëm. Gjëra bazike momentalisht, por ky vikt është vendimtar. Arrimë e fusim këmbët tamam në profesionin tonë.  Kam parë disa sëmundje tek kafshët. Kam marrë pjesë në lindje të kafshëve. Jemi një fakultet që studion të gjitha kafshët’, tha i riu.

Atë që mëson në leksion, i riu e vendos në praktikë çdo fundjavë në fermën e familjes së tij në Kukës.

Ditën e nis me pastrimin dhe ushqimin e bagëtive në stallë.

Më pas, u përkushtohet 50 dylym tokë, në të cilat familja e tij kultivon të gjitha llojet e produkteve bujqësore, nga gruri, misri, patatja, lakra e perimeve të tjera.

Klima dhe dalja vonë e prodhimit, janë në disfavor të fermës për shkak se tregu është i mbushur me prodhime nga Myzeqeja. Megjithatë kjo nuk e bën aspak pesimist.

‘Është fundi i prodhimit. Vetëm kultura e lakrës arrin temperaturën. Fill pas patates dhe qepës, ne përgatisim kulturën e dytë që është lakra. Ka lakra që arrinë deri në 7-8 kg. Më kryesorja është sigurimi i tregut. Kemi arritur ta krijojmë mallin, por problemi që hasim çdo vit është tregu i shitjes. Ka produkt të një cilësie shumë të mirë, por nuk ka shitje. Ose çmimi është përtokë. Kur produkti jonë del në tre., tregu është i mbushur. Kemi pleh organik’, tha Vilsoni.

Më tepër keqardhje Vilsoni shpreh që çdo vit e më shumë njerëzit po braktisin fshatrat, heqin dorë nga bujqësia dhe mbarështimi i gjedhëve.

‘Personalisht mua më pëlqejnë kafshët e mëdha. Kafshët e prodhimit. Gjedhi ka një rëndësi shumë të madhe se është burimi kryesor i qumështit. Është një kafshë që ja vlen të investohet. Një frikë e madhe si një veteriner është që ka rënë numri i fermerëve, krerëve. Kanë hequr dorë nga kafshët. Në të gjitha shtetet fermerët subvencionohet. Ka nevojë për një dorë të fortë’, tregoi i riu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *