• Fri. Apr 26th, 2024

Të mbijetuar nga minat serbe dhe municionet, por jo nga ironia e shtetit shqiptar-Shkruan Sulejman Dida

Porta Vendore/ Kukës 

…(përveçse viktima, shumë prej tyre janë heronjtë e situatave dramatike që ka përjetuar vendi në vite të ndryshme. Ata ishin në vijën e parë, në ato zona të cilat kanë qenë dhe mbeten gjymtyrë të ngrehinës së përbashkët, të shtetit shqiptar. …Sjellja ndaj këtyre personave është përgjegjësi institucionale dhe ligjore, është moral dhe humanizëm, është qytetërim. Askush nuk është i imunizuar nga rastësia fatale). (shkëputur nga paragrafi i librit ‘Përfundimi’)

Pak histori

Një nga target-grupet më të mënjanuara në Shqipëri janë padyshim të mbijetuarit nga minat dhe municionet, viktima kryesisht të luftës së Kosovës, por edhe të vitit ‘97 dhe të viteve të tjerë. Lufta e Kosovës, përkatësisht viti 1998 dhe pranvera e vitit 1999, la pasoja mjaft të rënda për një numër banorësh të zonave të kufirit dhe zonave të tjera, që nga Shishtaveci i Kukësit e deri në Padesh të Tropojës për shkak se ushtria jugosllave minoi gjithë brezin e kufirit Shqipëri-Kosovë në një thellësi disa km (brenda territorit të Republikës së Shqipërisë). Kjo gjë ishte në atë kohë një agresion i pastër, por për rrethanat gjeopolitike ndërkombëtare dhe të tjera që nuk janë bërë publike, shteti i Shqipërisë nuk e kundërshtoi këtë, e as bëri ndonjëherë një dosje për të paditur në gjykatën e Hagës apo në Këshillin e Sigurimit të OKB-s Beogradin për t’i kërkuar llogari dhe dëmshpërblim.

Sepse rreth 20 fshatra në Has, Tropojë dhe në Kukës  u shkatërruan pothuajse plotësisht nga minat serbe si dhe bombardimet.  Serbët ngritën kështu një mur vdekjeprurës,  siç thotë i mbijetuari Izet Ademi, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ekonomikisht u shkaktua një dëm që kap shifrën e 200 milionë dollarëve vetëm në rrethin e Hasit  (lexo edhe ‘Rreth krizës së minave në qarkun e Kukësit – J.Kola dhe N.Dokle, T.2006) me banesat e djegura e të shembura si dhe me bujqësinë e shkatërruar, por dëmi më i madh e i pariparueshëm ishte në njerëz. 272 persona u aksidentuan nga minat serbe, shumica e tyre nxënës shkollash, nga këto 34 të vdekur, ndërsa 60 të tjerë të gjymtuar. Kësaj shifre i duhet shtuar një numër relativisht i lartë i personave që u aksidentuan me mina apo me municione gjatë vitit 1997, kur një pjesë e atyre që mbijetuan mbetën të gjymtuar përgjithnjë.

Ç’bëhet me personat e mbijetuar

Për rastin e qarkut të Kukësit është disi e vështirë të kontaktohen, pasi një pjesë prej tyre janë larguar jashtë vendit, e një pjesë tjetër janë zhvendosur në rrethe të tjerë, gjithnjë në kërkim të mbijetesës. Në Kukës kanë mbetur vetëm një numër i vogël, e duhet nënvizuar se disa prej tyre tashmë kanë vdekur. Këto ditë, kemi kontaktuar me tre-katër prej të mbijetuarve që jetojnë në Kukës. Pak më tej do të tregojmë përjetimet dramatike të aksidentit me mina si dhe jetën e tyre të vështirë.

Ata kudo që ndodhen përballen me sfida jo të lehta, ndërsa shteti është treguar jashtë mase indiferent. Kjo kategori personash nuk përfshihet në asnjë ligj social, të miratuar në Shqipëri. Në mungesë të një ligji që rregullon mbështetjen e tyre dhe integrimin, ata, të mbijetuarit kanë kërkuar në vijimësi të zbatohet i ashtuquajturi ‘plani i veprimit për ndihmën e viktimave të minave’, që konsiston në ndihma të përkohshme, në përgatitjen e protezave etj, shkurt gjithçka për tejkalimin e pasojave.  Sepse të mbijetuarit e minave dhe municioneve nuk i njeh asnjë ligj, përderisa përkufizimi i invalidit lidhet me paaftësinë e lindur si dhe në rastet e tjera me aksidentimin në punë, ku sigurisht duhet të kesh qenë i siguruar dhe të kesh paguar kontribute.

‘Nocioni ‘person me aftësi të kufizuar’ nuk i përmbush kërkesat për targetin ‘viktima të minave dhe armëve, përkatësisht të mbijetuar’, thotë aktivisti i shoqërisë civile Izet Ademi, i mbijetuar nga minat serbe.  Ai shpjegon se në vitin 2001, OBSH ka rivlerësuar klasifikimin e aftësisë së kufizuar duke arritur në këtë përkufizim: ‘Personat me aftësi të kufizuar janë ata individë për të cilët funksionet fizike, kapaciteti mendor ose gjendja psikologjike kanë prirje të shmangen për më shumë së gjashtë muaj nga gjendja tipike për moshën përkatëse, e cila pasohet me kufizime të pjesëmarrjes së tyre në jetën shoqërore’. ‘Në Shqipëri në ligjin Nr. 93/2014 ‘Për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara, Neni 3, pika 9 thuhet: Persona me aftësi të kufizuara janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët. Në një vendim të kohëve të fundit të qeverisë të vitit thuhet se personat invalidë do të përfitojnë në bazë të ligjit Nr. 57/2019 Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë, mirëpo aty përjashtohen pikërisht personat që janë bërë invalidë si pasojë e luftës, përkatësisht të luftës së Kosovës.  Lexojmë pak Nenin 11, Personat jopërfitues: ç) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, për përfitim të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar.  Do të thoni që Shqipëria nuk ishte e përfshirë në luftë, mirë, por është përgjegjësi e saj që t’i mbrojë shtetasit e vet. Vendimi sanksionon më tej se ‘Personat me aftësi të kufizuar, që nuk plotësojnë kushtet ligjore për përfitim të pensionit të invaliditetit të punës sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’.  Nënvizimi ‘për Sigurimet Shoqërore’ përjashton një numër personash të mbijetuar të cilët në çastin e aksidentimit nuk kanë pasur asnjë lidhje me Sigurimet Shoqërore, sepse ose kanë qenë të mitur, pra nxënës shkolle ose të rritur por të papunë, dmth, të pasiguruar.  Shqiptarët e dinë edhe faktin edhe barrëlindja nuk konsiderohet për mbështetje financiare nëse nëna e ardhshme nuk është në marrëdhënie me Sigurimet Shoqërore, e si e tillë nëna dhe fëmija që lind duhet të mbijetojnë pa ndihmën e shtetit.  Ka dëshmi që në shumë raste ka persona të ndryshëm hyjnë në marrëdhënie korruptive për siguruar një raport: për gratë një raport lindje, pra një pagesë për barrëlindje, ndërsa invalidët – të mbijetuar nga minat gjithashtu mbeten target i qëndrimit subjektiv, humanitar ose jo, i komisioneve mjekoligjore për një pension’, shpjegon aktivisti.

Pra në Shqipëri, të mbijetuarit e minave dhe municioneve ende nuk njihen si persona me aftësi të kufizuara. Një ligj që duhej t’i përfshinte është ai ‘Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara’ nr. 93/2014.  Ky ligj në tërësinë e tekstit duket më shumë si një ese kushtuar njerëzve me paaftësi të përkohshme se sa një ligj i qartë e i prerë, kush përfiton dhe çfarë përfiton. Ai merret me krijimin e terrenit, mjedisit social apo rrethanave të tjera lehtësuese për t’i mundësuar një invalidi që të ndjehet i barabartë me të tjerët, që edhe kjo nuk është keq, por nuk përcakton termat e invaliditetit për kategorinë e të mbijetuarve nga minat, pasi i gjithë ligji flet për paaftësi të përkohshme. ‘Merret me disa nga përfitimet si udhëtim, strehim etj, si dhe mosdiskriminim e kështu me radhë, ama, askund nuk përmendet si kategori viktima nga minat dhe municionet’, siç vëren avokatja Aurora Guska, në rastin kur e pyetëm rreth këtij shqetësimi.  Ajo thotë se numri relativisht i lartë i të aksidentuarve nga minat apo municionet, persona të pasiguruar apo fëmijë, dikton nevojën e sanksionimit në ligj si përkufizim specifik.  Lexuesi mund të kujtojë sjelljen e shtetit me viktimat e Gërdecit, apo viktimat e tjera, të cilët nuk përfituan asgjë dhe u detyruan që të dërgojnë çështjen në gjykatë dhe u pranua dëmshpërblimi i tyre, vetëm me një vendim të veçantë të qeverisë së re. (lexo: ‘Viktimat e minave dhe municioneve në Shqipëri’ nga Jonuz Kola, T.2016; si dhe Toëards a safer Albania, Drejt një Shqipërie më të sigurtë – vështrim studimor mbi situatën e armëve të vogla dhe të lehta 1097-2009 ). Sipas shifrave zyrtare, nga ‘97-ta e këtej janë më shumë se 1.000 të mbijetuar nga minat dhe municionet.

Një prej të mbijetuarve nga minat serbe e formulon kështu shkakun e indiferencës së shtetit: ‘Asnjë deputet apo bir deputeti apo bir ministri nuk është aksidentuar nga minat serbe, vetëm po të ndodhte kjo, deputetët ata do ta ngrinin zërin. Deputetët dhe ministrat shumë ligje i kanë bërë vetëm për interesat e tyre personale, ata si ligjvënës janë të shurdhët ndaj halleve tona’.

Si ka ndodhur

Përjetimet personale dhe familjare për çastin dramatik të aksidentimit janë tronditëse. Distanca kohore prej më shumë se dy dekadash nuk i ka zbehur, edhe pse thuhet që koha shëron çdo gjë. Ndoshta koha shëron shumëçka, sepse tendenca dhe energjia e jetës bën ndryshimet e veta, por në shpirtin e këtyre personave duket sikur është krisur përgjithnjë ëndrra e hovit djaloshar, karakteristikë e moshës kur ata u gjymtuan në aksidentin me mina apo municion. Imagjinojeni jetën tuaj pa një dorë, apo largqoftë pa të dyja duart, siç është rasti i një djaloshi nga Hasi apo pa sy e kështu me radhë. Në çastin e shpërthimit të minës mbi të cilën kanë shkelur, edhe në rastin kur kanë mbijetuar, jeta e tyre ka ndryshuar përgjithnjë. Me këmbë të prerë, pa dorë, pa gishta do të mbeten invalidë të përjetshëm. Dhe, i pari që nuk pyet për to është shteti, ai nuk i njeh si PAK e as merret me ta për t’i integruar apo mbështetur financiarisht.  Thënë ndryshe, duke perifrazuar fjalët e vetë të mbijetuarve, së pari shteti nuk i mbrojti ata kur ndodheshin në vijën e kufirit apo në një detyrë, së dyti nuk e specifikon në një ligj këtë kategori personash, siç specifikon, psh, paraplegjikët, invalidët e punës e kështu me radhë.

Gazmend Dida është 49 vjeç. Në datën 17 qershor të vitit 1999 ai, si çdo ditë të verës, ndodhej në bjeshkë, për verim, në vendin e quajtur Qaramaria, pjesë e bjeshkëve të Tërthores, shumë afër majës së Pikëllimës, ku ishte kufiri që ndante dy pjesët shqiptare. Në atë kohë, Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, që dominohej nga Serbia. Ushtria e kësaj të fundit ka pasur në atë vend një nga postat famëkeqe të kufirit (deri në datën 12 qershor 1999), nga ku ngrihej një karakoll disa metra lartësi. Avionët e NATO-s ende fluturonin mbi Kosovë, fluturonin ulët, jo për bombardime tashmë, por për monitorim. Nga zhurma (zhvendosja e ajrit) e shkaktuar prej avionit, nga karakolli i ish postës serbe shkëputet një llamarinë dhe bie shumë afër vendit ku rrinte Gazmendi bashkë me tre bjeshkatarë të tjerë, përkatësisht i moshuari Mehmet Dani nga Bardhoci si dhe dy fëmijë 10 dhe 11 vjeç, po nga Bardhoci. Llamarina ka shkaktuar shpërthimin e një mine kasetë, fuqia e të cilës i ka fluturuar në ajër që të katërt. Tre të tjerët shpëtojnë për mrekulli duke rënë disa metra më tej mbi barin alpin, ndërsa Gazmendin e mbulon gjaku. Kishte marrë plagë të shumta në krejt trupin, por për fat nuk kishte pësuar gjymtime. Pas ndërhyrjes në spitalin e Kukësit, sot është e vështirë të dallohen plagët e asaj dite, por ai vuan disa kocka të krisur në brinjë e shpatull si dhe disa shenja në fytyrë që ruhen akoma. Ai jeton në fshatin Përbeg me gruan dhe tre fëmijë, punon atë pak tokë sa për të mbajtur një lopë, ndërsa veç ndihmës ekonomike asnjë të ardhur tjetër nuk ka.

Gazmendi përlotet kur e kujton çastin e aksidentit, ashtu siç ndodh me të gjithë të mbijetuarit. ‘Atë ditë më kujtohet se nuk mu hangër buka, pata një parandjenjë të tmerrshme, mu prenë gjunjët. Gati çdo ditë përballeshim me rrezikun, sepse e dinim se krejt zona ishte e minuar dhe ecnim me kujdes, por atë ditë ishte ndryshe. Mbasi jam përmend pas aksidentit, zumë të preknim njëri-tjetrin, a je gjallë? Po gjallë jam. Dy fëmijët, mbasi erdhën në vete desh u ra prapë të fikët kur më panë mua gjithë gjak që më kullonte trupi. Aty, mbas pak minutash më ka ra të fikët dhe kur jam përmendur në spital ku më kishin dërgue stanarët dhe ushtarët, të gjithë ishin bashkë… Te spitali jam përmend duke dëgjue ulërimat e familjarëve, të gruas dhe të nanës e motrave, u kishte shkue fjala se kam vdekë, ishte e tmerrshme’.

Ibrahim Bytyçi është i datëlindjes 1977, dhe ka qenë 22 vjeç, kur është aksidentuar në mina në kufirin e Hasit. Ai kujton se ka qenë një paradite me diell, madje 6 Maji, që është edhe dita Shëngjergjit, një festë shumë e vjetër dhe e rëndësishme për komunitetin. ‘Kujtoj vetëm zhurmën e shpërthimit, asgjë tjetër nuk kujtoj, thotë Ibrahimi. Jam përmendur të nesërmen në spitalin e Kukësit dhe aty më thanë se nuk duhej të bahesha pesimist sepse në fund të fundit kisha shpëtuar gjallë. Vërejta se kisha humb këmbën e majtë dhe dorën e djathtë, ishte e tmerrshme, ah aq shumë e tmerrshme. Për shumë kohë nuk e mora veten, por me kalimin e viteve jam mësuar, ose qysh me t’thanë, jam pajtu me fatin’. Ibrahimi tregon se nga koha e aksidentit e deri tani ka bërë tre herë proteza, përkatësisht dy herë në Slloveni, e një herë në Shqipëri. Ai thotë se duhen 6 muaj për tu përshtatur me një protezë. Është i pakënaqur me faktin që të mbijetuarit nga minat dhe municionet nuk njihen si PAK, por ai ka arritur të klasifikohet si invalid i grupit të dytë dhe përfiton kështu rreth 20 mijë lekë të rinj në muaj. Ai thotë se këtë e ka arritur vetëm falë ‘dashamirësisë së komisionit mjeko-ligjor’. Jeton në qytetin e Kukësit, në një banesë me qira bashkë me gruan, edhe ajo e sëmurë si azmatike, si dhe me tre fëmijë. Me sa mundet ai punon me dorën e majtë si kopshtar në lokalet e qytetit, duke ujitur lulet apo duke prerë barin me korrëse elektrike etj.

Lutfi Hasanaj, është aksidentuar me municion në prill të vitit 1997 në moshën 21 vjeç. Ai tregon: ‘Po kthehesha nga Bushati, vendi ku kemi tokat bujqësore dhe ku isha tu hedh pleh me kuaj. Sapo kam hy në fshat, pashë një grup fëmijësh të vegjël që po luanin me një kapsolla minash të këmbësorisë. Duke e ditur se ai lloj kapsolle nuk e shfaq ndezjen, dmth mund të jetë i ndezur dhe t’i nuk e kupton, desha tua largoj nga duart sepse mund të ishte i ndezur. Ai është një lloj kapsolle që ndizet me goditje edhe pa pasur flakë, ua hoqa nga dora që ata të mos aksidentohen. Mirëpo ai kishte qenë i ndezur dhe në frekuencë të sekondës ka plasë. Mbaj mend se ishte ora 10:00 paradite, dora e majtë mbeti varur. Më asht dashur një orë e gjysmë për të shkuar te mjeku, tronditja e njerëzve, makina nuk kishte siç ka sot. Po të kisha shku ma shpejt ndoshta do të kisha humb vetëm disa gishta dhe jo krejt dorën, por aty u vendos fati i keq…’. atij i mbushen sytë, por në atë lot prej burri shihen sytë e fëmijëve që realisht i ka shpëtuar ky person nga vdekja apo gjymtimi i sigurt, për këtë nuk flet as ai e askush tjetër.

Të mbijetuarit nga minat dhe municionet, asnjëherë nuk e kanë pasur të lehtë jetën dhe ngjarjet apo zhvillimin e tyre. Pa llogaritur vështirësinë e mbijetesës, thjesht për të siguruar bukën e gojës, ata e kanë pasur të vështirë edhe të krijojnë familje, sepse pothuajse asnjë vajzë nuk dëshiron që të ketë për burrë një person të gjymtuar. Lutfiu, sot ka probleme të theksuara ekonomike edhe për faktin se gruan e ka të sëmurë, pasi ajo ka lindur me defekt në lokucionet e njërës këmbë, dhe kuptohet sot i duhen 7 mijë euro për protezë muskulore, po shteti nuk e rimburson.

Lutfiu jeton në Bicaj, ka tre fëmijë, dy në gjimnaz e një në klasën e nëntë. Rastësisht në territorin e truallit të tij, ngjitur me shtëpinë ndodhet depo e ujësjellësit të qytetit. Për 20 vite, ai ka shërbyer falas duke e klorifikuar dhe duke bërë roje me shpresën se ndonjë ditë ndërmarrja do ta punësojë. ‘Mirëpo sot kudo vendi i punës blihet me korrupsion dhe nuk është se meritohet’, thotë ai. Të ardhurat financiare të tij janë 15 mijë lekë në muaj si roje private, si dhe 11 mije e 500 lekë pension i grupit të III-të. ‘Vende pune për invalidët ka, por nuk na i jep kush’, thotë Lutfiu, ndërsa një bashkëbisedues shton: ‘Po të vëreni administratën lokale apo të cilësdo ndërmarrje, nuk bëjnë pothuajse asgjë, veç pinë kafe dhe luajnë me telefon, ashtu vegjetojnë siç vegjeton Shqipnia, pse të mos punësohen edhe invalidët…’.

Izet Ademi, në atë kohë 30 vjeç, oficer i ushtrisë së Shqipërisë me shërbim në postën e kufirit në Koritnik, në majën e Pikëllimës. ‘Ka ndodhur me datë 25 maj 1999. Në atë stinë mund të them se ishim të vetëdijshëm për rrezikun sepse na kishte përfshirë fryma e luftës së Kosovës, por atë ditë pata një ndjesi të çuditshme, nuk di si ta them. Kur dola prej shtëpisë në mëngjes, tri herë ndalova në udhë duke vështruar shtëpinë dhe fshatin, ashtu siç bën dikush që do të ndahet përgjithnjë. Asnjë ditë nuk më kishte ndodhur kjo ndjesi, ishte si parandjenjë’, tregon Izeti ndërsa i mbushen sytë. Ai ka humbur këmbën e majtë poshtë gjurit dhe tashmë ecën me protezë. Ai tregon se shpëtimi i gjurit i ka dhënë mundësinë që protezën ta përdorë si këmbë që e përthyen dhe nuk dallohet shumë kur ecën. Është angazhuar prej 20 vitesh në shoqatën Alb-Aid –ndihma shqiptare (ish VMA – Shoqata për Viktimat e Minave dhe Armëve), si një nga themeluesit dhe drejtuesit e saj. Atë, shumë pak njerëz e njohin si person me aftësi të kufizuar, vetëm familjarët dhe aktivistët e shoqatës e dinë se ai nuk e ka këmbën e majtë por ecën me protezë. Madje duke qenë vetë i mbijetuar nga minat, ose edhe për këtë, ka ndihmuar qindra të mbijetuar nga minat dhe municionet në Shqipëri, në Kosovë dhe përtej saj. I ka ndihmuar duke u siguruar asistencë dhe mbështetje nga donatorët ndërkombëtarë, duke ngritur zërin për to në qeverinë shqiptare (për rastin e shtetasve të Shqipërisë), dhe në organizmat ndërkombëtarë, aq sa në shumë raste, vetë shteti Shqiptar është përfaqësuar në botë, në organizatat e OKB-së me Izetin dhe shoqatën Alb-Aid. Disa nga konventat ndërkombëtare të ndalimit të minave antipersonel etj. dhe demolimit të armëve apo municioneve janë nënshkruar pikërisht nga Alb-Aid. Falë punës së kësaj shoqate,  janë botuar rreth 1.000 faqe libri me përshkrimet e si dhe me të dhënat e mijëra personave të aksidentuar në vend nga të gjitha format duke përfshirë edhe ato rrugore.

Presioni i brendshëm dhe ndërkombëtar

Qeveria shqiptare asnjëherë nuk është trazuar, ndoshta jo mjaftueshëm, për problemin e të mbijetuarve nga minat serbe, por edhe nga minat e apo municionet në vend. Është e habitshme se në dy dekadat e fundit ka pasur kaq shumë konventa ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, për ndalimin e minave dhe municioneve etj., por që për Shqipërinë kanë qenë thjesht aktivitete protokollare sa për t’i nënshkruar.

Nga ana tjetër, në sajë të punës që ka bërë një grup aktivistësh të shoqatës VMA (viktimat e minave dhe municioneve) me vonë emërtuar si Alb-Aid, u bë i mundur deri diku rehabilitimi fizik dhe trajtimi me proteza në Slloveni i më shumë se 80 viktimave, u ngrit reparti i mirëmbajtjes së protezave në Kukës, u punua për rehabilitimin e përkohshëm ekonomik të viktimave, u punua aq shumë nga shoqëria civile për ofrimin e shërbimeve komunitare sociale për viktimat, si dhe u bë një advokim për to në iniciativa të ndryshme në nivel ndërkombëtar. Duhet nënvizuar se edhe komuniteti ndërkombëtar, qeveritë dhe organizatat e huaja joqeveritare punuan për lehtësimin e vuajtjeve dhe përmirësimin e kushteve të viktimave të minave në Shqipëri.

Por gjithsesi, derisa ata nuk njihen nga shteti shqiptar si PAK, mbeten një target-grup i margjinalizuar. Indiferenca dhe ironia për ti njohur ata si invalidë ka shkuar deri në këtë pikë, sa komisioni mjekoligjor, i ka thënë të mbijetuarit nga minat (i cili në 99-tën kishte humbur një këmbë), që ‘duhet t’i kesh të dyja këmbët që ne të vlerësojmë gjendjen tënde ose të kesh lindur me një këmbë që të klasifikohesh të paktën si invalid i lindur. Invalid pune nuk je, as invalid i luftës nacional-çlirimtare e as invalid i lindur, ligji nuk njeh invalid nga minat serbe apo nga municionet…’.  (Pohimi i një prej të mbijetuarve nga minat, që nuk dëshiron të identifikohet).

Përfundim

Të mbijetuarit nga minat dhe municionet mbeten nje target-grup  i mënjanuar në legjislacionin e vendit, ndërkohë që në një kuptim tjetër, përveçse viktima, shumë prej tyre janë heronjtë e situatave dramatike që ka përjetuar vendi në vite të ndryshme. Ata ishin në vijën e parë, në ato zona, të cilat kanë qenë dhe mbeten gjymtyrë të ngrehinës së përbashkët, të shtetit shqiptar. Gjithashtu harresa ndaj tyre, si dhe ndaj familjeve të personave që humbën jetën nga minat serbe apo nga municionet në vend, përbën një ‘krim’ të dytë ndaj familjeve që ndodhen në zgrip të mbijetesës në përpjekje të vazhdueshme për bukën e përditshme. Sjellja ndaj këtyre personave është përgjegjësi institucionale dhe ligjore, është moral dhe humanizëm, është qytetërim. Askush nuk është i imunizuar nga rastësia fatale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *