• Sat. Apr 27th, 2024

INTERVISTA/ Admir Sinamati: Kukësi, populli i kuvendeve, nuk ka pranuar asnjëherë të qeveriset nga pakica!

“Kukësi është qeverisur pa vota këto katër vjet, kur kuksianët janë në formimin e tyre, në gjenezën e tyre, njerëz të vendimeve kolegjiale, të kuvendeve”!

Admir Sinamati, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Kukësit, ishte i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV për të dhënë mendimin e tij për një shprehje të dukshme entuziazmi në radhët e demokratëve të kësaj bashkie  dhe jo vetëm të tyre, për fitoren e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit. Gazetari Flavio Qarri e nisi prej këtu, intervistën e shkurtër me z. Sinamati.

Kafe Shqeto: Z. Sinamati, ajo që shohim është një  entuziazëm i jashtëzakonshëm veçanërisht në ato zona që dikur kanë qenë bastione të PD-së. Çfarë do të thotë ky rikthim në identitetin politik për këta qytetarë, veçanërisht pas 4 apo 8 viteve të fundit?

Admir Sinamati: Kukësi ka vite që e mbështetet fuqishëm Partinë Demokratike. Për hir të së vërtetës, pas vitit 2009, kohë kur u hap Rruga e Kombit, kuksianët në përgjithësi, të gjithë banorët e qarkut Kukës, e vendosën përfundimisht lidhjen shpirtërore dhe politike me Partinë Demokratike dhe me liderin e saj, Dr. Berishën. Për shkaqe që tashmë dihen, në zgjedhjet e 4 viteve më parë , kuksianët nuk patën mundësi të japin verdiktin dhe të zgjedhin kryetarin e tyre të bashkisë, por vetëm 8% e popullatës së Kukësit , e votuesve, e elektoratit të Kukësit, dolën në votime dhe dhanë pëlqimin apo votëbesimin për atë që e ka drejtuar Kukësin për katër vjet.

Të gjendur në këtë boshllëk politik, pa përfaqësim të njeriut të tyre të votëbesuar, kuksianët ranë në një depresion social duke krijuar mosbesim totalisht tek politika.

Vetëm pas fillimit të riorganizimit dhe procesit të rithemelimit të Partisë Demokratike, këtu filloi, lindi shpresa, ndaj, një grup intelektualësh, ne, vendosëm t’i prijmë rithemelimit, riorganizimit dhe rikonsolidimit të PD-së si forcë kryesore politike në rajonin e Kukësit dhe si forcë e besueshme për t’i kthyer mandatin e pushtetit, popullit të Kukësit.

Prandaj entuziazmi është më se normal, sepse Kukësi është qeverisur pa vota këto katër vjet, kur kuksianët janë në formimin e tyre, në gjenezën e tyre, njerëz të vendimeve kolegjiale.

Kafe Shqeto: Të kuvendeve!

Admir Sinamati: Të kuvendeve! Tipikë! Është fjala e duhur Flavio dhe të falenderoj për gjetjen dhe përdorimin e kësaj fjale. Ne e kemi në gjenezën e formimit, të vendimmarrjes, kuvendin ose siç dikur ka qenë “fjala e dheut”, ose debatet, kuvendet, ku burrat, njerëzit më të votëbesuar, më të mbështetur, vendosnin për fatet e kësaj treve dhe asnjëherë, në asnjë mënyrë e për asnjë arsye, populli i Kukësit nuk ka pranuar të qeveriset nga pakicat, nga minorancat dhe nga të emëruarit.

Kafe Shqeto: Z. Sinamati, nëse në rastin e bashkisë së Shkodrës edhe mund ta “mirëkuptojmë” qeverinë  që nuk i jep fonde së vetmes bashki  që më kryeneçësi i rezistoi atij pushtimi politik dhe parapolitik të zgjedhjeve të 2019-ës, si ka mundësi që në një pjesë të madhe të rajoneve të veriut, edhe pse e kanë pushtetin lokal, sërish kanë mbetur të izoluara dhe të pafinancuara nga qeveria qendrore?

Admir Sinamati: Nuk është problem që lidhet thjesht dhe vetëm me përkatësinë apo me drejtimin politik të lokaliteteve apo bashkive të veriut të Shqipërisë nga kjo qeveri. Përgjithësisht nga të gjitha qeveritë socialiste, veriu shihet si delja e zezë. Është e dhimbshme, nuk është aspak normale që kjo të dalë nga goja e një intelektuali, e një njeriu të shkolluar, që e bën jetën e vet në mjedise akademike, por është e vërtetë, është konstatim me fakte dhe prova, se mjafton të shihet mënyra e shpërndarjes, mënyra e injektimit të buxheteve në Kukës, në raport me bashkitë e Shqipërisë! /SYRI.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *