
Kukësi është gati për të nisur sfidën e tij në eliminatorët e Europa League dhe këtë e konfirmuan edhe testet anti-Covid që iu nënshtruan të gjithë lojtarët dhe stafi i ekipit verilindor.
Faqja zyrtare e nënkampionëve të Shqipërisë njofton se janë marrë përgjigjet e testit të dytë që u zhvillua ditën e hënë dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negative.
Përgjigjet negative erdhën falë kujdesit të treguar nga stafi dhe futbollistët dhe izolimit në Tropojë dhe Elbasan.
Ky është testi i dytë që ekipi zhvillon në pak ditë.
Të premten, u zhvillua testi i parë për skuadrën, me vendim të klubit për t’i paraprirë çdo situate.
Ndërkohë, pas testeve ekipi zhvilloi stërvitjen e radhës në Elbasan para ndeshjes ndaj Slavia Sofias.
Kukësi do të ndeshet ditën e enjte në orën 20:00 me bullgarët e Slavias së Sofjes, në një takim që do të luhet në ‘Air Albania Stadium’.