
Pas katër humbjeve radhazi, Kukësi u rikthye te fitorja pasi ditën e sotme mposhti Apoloninë në transfertë me rezultatin 1-3.
Verilindorët e nisën sfidën mjaft mirë, pasi kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të Ibraimit, që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Fierakët nuk u dorëzuan dhe kërkuan golin e barazimit, që do të vinte në minutën e 60-të, pas një silure të Smaçit.
Megjithatë, vendosmëria e Kukësit ishte e madhe dhe në 76-tën minutë, Peposhi kaloi sërish të tijtë në avantazh. Për të mbyllur përfundimisht llogaritë mendoi Eze, që devijoi saktësisht me kokë nga një këndore.
Kështu, me rezultatin 1-3, Kukësi merr tre pikët dhe shkon në kuotën e 20 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Apolonia mbetet e parafundit me 12 pikë.