• Mon. Apr 29th, 2024

Libri “Fortesat e Drinit në shekujt IV–VI”-Nga Prof. Dr. Luan Përzhita

Libri “Fortesat e Drinit në shekujt IV–VI” pasqyron një ndër periudhat më të rëndësishme të fillimit të ndryshimeve të mëdha politike, ekonomike, administrative dhe etnike në provincat e Iliricumit. Luginat e Drinit kanë lidhur historikisht provincat e Iliricumit të Epirit të Ri, Maqedonisë II, Dardanisë, Prevalitanisë etj. Hapësira kohore midis shekujve IV–VI është një periudhë e rëndësishme e jetës dhe veprimtarisë së popullsisë ilire në Ballkan, gjë që është dokumentuar në shumë burime historike të kohës, si dhe nga ndërtime në një sërë monumentesh ku bëjnë pjesë dhe fortesat e kësaj kohe. Gjatë këtyre shekujve morën rrugë proceset e kalimit, formimit dhe zhvillimit të kulturës paleobizantine të popullsisë ilire, të cilat u reflektuan në ndërtimet urbane, transport, ekonomi etj.

Përpjekjet për të pasqyruar në aspektin arkeologjik dhe historik të procesit të sistemeve fortifikuese në rajonin e lumit Drin, i cili aktualisht shtrihet në territorin e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, kanë filluar pas viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Këtu mund të përmendim botimet e disa kështjellave që vijnë si rezultat i kërkimeve përnjohëse në terren gjatë kohës së ndërtimit të kaskadave mbi lumin Drin në zonën e Kukësit, Dibrës dhe Pukës.

Gërmimet arkeologjike sistematike në drejtim të njohjes dhe evidentimit të fortesave në luginën e Drinit kanë filluar nga autori i këtij punimi në vitin 1983 me kështjellën e Bushatit (Kukës) dhe vazhduan pa ndërprerje gjatë viteve 1983–1991, përgjatë luginës së Drinit të Bardhë dhe të Zi, në kështjella të tjera, nga të cilat mund të veçojmë Qytezën e Pecës, Bardhocit, Domaj etj. Këto rezultate u publikuan nga autori i librit në punimin e doktoraturës “Fortifikimet e antikitetit të vonë dhe mesjetës në pellgun e dyfishtë të Drinave” në vitin 1991.

Në vijim të punës kërkimore për fortifikime të kësaj periudhe, në vitin 1999 kemi kryer disa ekspedita përnjohëse në pellgun e Drinit të Zi, ku u dokumentuan 12 fortesa të shekujve III–IV dhe VI, të cilat plotësuan kështu panoramën e sistemit fortifikues në ketë areal.

Gërmimet arkeologjike sistematike kanë filluar në vitin 2000 në fortifikimin më të madh të pellgut të Drinit të Zi, në Grazhdan (Peshkopi). Gjatë një periudhe 10-vjeçare tashmë kemi një situatë shumë të qartë të kronologjisë dhe arkitekturës së këtij monumenti që është me sipërfaqe 34 ha, fortifikuar me 44 kulla tipash të ndryshme dhe 3 porta madhështore, një ndërtim i fillimit të shekullit IV.

Gjatë këtyre viteve kemi organizuar disa ekspedita përnjohëse në pjesën e luginës së Drinit të Zi nga Struga e deri në Dibër të Madhe. Po ashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar sistemit të fortifikimeve në pellgun e liqenit të Ohrit.

Gjatë viteve 2000–2005, në kuadrin e projektit arkeologjik “Harta arkeologjike e Kosovës” gjurmimet arkeologjike u fokusuan edhe në fortesat e shekujve IV–VI, të cilat u plotësuan me dokumentacionin përkatës, planimetri, fotografi etj. Në disa raste janë kryer dhe sondazhe, si në Korishë, Prizren etj. Kështu u plotësua për herë të parë sistemi fortifikues i Drinit të Bardhë, një areal që historikisht kishte luajtur rol primar në qarkullimin e mallrave dhe kulturave nga bregdeti Adriatik në Ballkanin Qendror, nëpërmjet Rrugës Lissus – Naissus.

Nisur nga materiali i analizuar rezulton se në pellgun e Drinit të Zi janë ndërtuar 22 fortesa; në Drinin e Bardhë 19 fortesa; ndërsa në Drinin e Bashkuar 10 fortesa. Pra i gjithë sistemi fortifikues ndërtuar në pellgun e Drinave ka qenë i realizuar nga 51 fortesa të shekujve III–IV dhe VI.

Siç u paraqit, libri përmban një punë mbi 30-vjeçare kërkimore-shkencore në terren dhe biblioteka shkencore në Evropë dhe prezanton fortesat të lumin Drin në tre kapituj.

Në kapitullin e parë “Fortesat e Drinit të Zi” një vend me rëndësi u lidhjeve tregtare, ushtarake dhe administrative që realizoheshin në arealin ku kryqëzoheshin rrugët e rëndësishme ndërmjet Detit Adriatik dhe pellgut të Danubit, ndërmjet provincës së Macedonia Secunda, Epirus Novo dhe Dardania. Studimi nxjerr në pah se pellgu i Drinit të Zi shërbeu si një nyjë e rëndësishme dhe strategjike jo vetëm ushtarake, por edhe kulturore e tregtare në kuadrin e rrugës transversale ndërmjet Via Lissus – Naissus dhe Via Egnatia. Rajoni Ohër – Dibër – Kukës, në aspektin urbanistik është vendosur ndërmjet dy qyteteve të mëdha Lyhnidos (Ohër) dhe Deyfrakos (Grazhdan – Peshkopi), qendra të cilat në periudhën e antikitetit të vonë, pra në shekujt IV–VI luajtën një rol parësor në përhapjen e krishterimit, në tregti dhe në aspektin ushtarak. Një sistem i përkryer ushtarak u ndërtua përgjatë kësaj lugine përfaqësuar nga një numër qytezash, kështjellash etj., si në pllajën e liqenit të Ohrit, ashtu dhe në arealin Peshkopi – Kukës. Fortesat e këtij rajoni nisur nga analiza e teknikës së ndërtimit, si dhe nga materiali arkeologjik ishin ndërtime që të shtrira në kohë nga shekulli III–IV dhe shekulli VI, në funksion të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së rrugëkalimeve, por edhe të zonave për rreth tyre.

Në kuadër të kapitullit të dytë “Fortesat e Drinit të Bardhë” për herë të parë kemi një panoramë të qartë të sistemit mbrojtës në këtë luginë, të përbërë nga fortifikime që janë ndërtuar në periudhën e mbizotërimit romak dhe më pas në periudhën e perandorit Justinian. Qëllimi i krijimit të këtij sistemi fortifikues tregon rëndësinë që kishte lugina e Drinit të Bardhë, një areal që historikisht lidhte Ballkanin Qendror me Bregdetin Adriatik. Duke analizuar kontekstin e ndërtimit, fazat e zhvillimit kronologjik, fizionominë dhe karakterin e tyre, është krijuar një panoramë e përgjithshme që plotëson një boshllëk në literaturën arkeologjike për qendrat arkeologjike të antikitetit të vonë, veçanërisht për transformimin urban të provincës së Dardanisë gjatë shekujve IV–VI.

“Fortesat e Drinit të bashkuar” në aspektin administrativ të kohës integrohen me provincën e Prevalitanës, ndonëse një pjesë e tyre janë në kufirin ndërmjet provincës së Dardanisë dhe asaj të Prevalitanës. Si rezultat i ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin, në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës të dhënat mbi gjurmët e fortifikimeve janë zhdukur. Informacioni që kemi në dispozicion vjen nga ekspeditat përnjohëse që janë bërë gjatë viteve 1970, si dhe nga udhëtarët e huaj që kanë vizituar këto zona gjatë shekujve të kaluar. Falë gërmimeve arkeologjike të realizuara në castrum-in e Vigut (Shkodër), qytezën e Rosojës (Tropojë), si dhe ekspeditave përnjohëse në Shëmri (Kukës) etj. është arritur të paraqitet një panoramë e përgjithshme e këtij sistemi fortifikues në luginën e Drinit të bashkuar, që mendojmë se kontribuon në njohjen e këtyre krahinave gjatë shekujve III–IV dhe VI.

Gjurmimet e deritanishme në pellgjet e Drinit, zonë e cila përfshin pjesët perëndimore të dy provincave, asaj të Maqedonisë dhe të Dardanisë, si dhe pjesët qendrore të provincës së Prevalitanës, ndonëse janë tregues për një veprimtari të gjerë ndërtimore, dëshmojnë se tashmë është krijuar një tablo e qartë dhe e detajuar mbi zhvillimin e fortifikimeve gjatë shekujve IV–VI. Të dhënat mbi fortesat e Drinit, sistemet fortifikuese, tipologjinë e tyre, aspektin kronologjik dhe arkitektonik, si dhe të dhëna arkeologjike, herë-herë gërshetohen me të dhëna nga burimet historike të kohës, duke sjellë risi të dukshme në analizën e monumenteve.

Mendojmë se përmes këtij studimi kemi sjellë para lexuesit për herë të parë në mënyrë të përmbledhur një panoramë të sistemeve fortifikuese të shekujve IV–VI në pellgun e Drinave. Po ashtu, analiza mbi kronologjinë dhe dinamikën e fazave të ndërtimit të fortifikimeve, si dhe roli i tyre mbrojtës në relacion me rrugën Lissus – Naissus kontribuon në sqarimin e transformimeve urbanistike, ekonomike dhe kulturore që ka njohur ky territor ballkanik gjatë kësaj periudhe.

Nisur nga materiali i paraqitur shpresojmë se ky botim që u kushtohet “Fortesave të Drinit në shekujt IV–VI ” që për vetë tematikën e studimit lidhet dhe gërshetohet me aspekte të rëndësishme të historisë ballkanike të zhvillimeve dhe transformimeve në prag të dyndjeve barbare, të shërbejë për studiuesit e fushës dhe të gjithë të interesuarit e tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *