• Sat. Apr 27th, 2024

Milionat e taksës në Rrugën e Kombit që shkojnë për koncesionarin, si po abuzohet me kursin e këmbimit

Negocimi i kontratës me koncesionarin për vendosjen e taksës 5 euro nuk pati konsultim me banorët e zonës. Qeveria nuk kishte llogaritur gjendjen ekonomike në qarkun e Kukësit, një nga zonat më të varfra në vend.

Vendosja e pagesës më 25 mars të vitit 2018 zgjati vetëm 6 ditë.

Protestat e banorëve detyruan qeverinë që të hynte në negociata me kompaninë koncesionare Albanian Highway Concession që të ndryshonte kontratën.

5 muaj më vonë, më 17 shtator rinis qarkullimi me pagesë në rrugën e Kombit. Këtë herë nuk kishte kundërshtime, pasi qeveria kishte pranuar të subvencionte tarifën për banorët e qarkut Kukës. Tashmë ata do të paguanin vetëm 100 lekë tarifë për kalimin e traut. Pjesë e skemës u bënë edhe linjat e transportit interurban të liçensuara në këtë qark, ndërsa u zgjerua zbritja për kategorinë e përdoruesve të shpeshtë duke përfshirë afërsisht 5 mijë automjete.

Sot një veturë që kalon në rrugën e Kombit paguan 5 euro, 2.5 euro një motorr, dhe për autobusët tarifa është 11.2 euro. Kamionët paguajnë 16.2 ose 22.5 euro në varësi të peshës që kanë.

“Tarifa ka dëmtuar dhe vështirësuar tregtinë, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është që edhe ato detyrime të parashikuara në kontratën koncesionare nuk realizohen.” thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s.

Skeptikë se mund të arrinin një performancë të mirë financiare përmes sistemit të tarifimit, autoritetet dhe pala private parashikuan një skenar ku nëse koncesionari nuk arrin të mbledhë afërisht 8 milion euro në vit, diferenca të subvencionohej nga buxheti i shtetit. Pjesë e kësaj skeme tashmë do të ishin edhe banorët e Kukësit që përfitonin tarifë të reduktuar.

Por ky skenar deri më sot nuk është zbatuar asnjëherë, pasi fluksi i qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë ka kaluar parashikimet edhe të variantit më optimist. Një nga arsyet është sigurisht mungesa e rrugës alternative.

“Ajo rrugë nuk duhej dhënë me koncesion përsa i përket rregullit numër 1 që duhet të plotësojë një rrugë që vendoset trau. Duhet që qytetarit t’i garantosh një alternativë.” thotë inxhinieri Arben Meçe.

Koncesionari ka arritur të arkëtojë në total për 5 vjet të operimit të rrugës, nga 2018-a deri në fund të vitit 2022. 58.6 milion euro, 17 milion euro më shumë se skenari bazë. Gjatë vitit të shkuar nga pagesat e taksës së rrugës u mblodhën 13.087 milion euro, 2.87 milion më shumë se varianti optimist, çka sjell ndarjen e shumës përgjysëm me shtetin. Shteti shqiptar ka marrë 7.6 milion euro nga arritja e pargut për ndarjen e të ardhurave nga trafiku. Në këtë rast lind detyrimi për të axhustuar tarifën në kahun e uljes së saj. Ja se çfarë thotë për kontratën në fjalë Drejtoria e Koncesioneve pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Autoriteti Kontraktues shprehet se mundësia e materializimit të riskut të rinegocimit është e mundur në uljen e tarifës së kalimit në Sheshin e Pagesës.” thuhet në raportin vjetor të vitit 2021 të performancës së koncesioneve të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

RAPORTI VJETOR I KONTRATAVE KONCESIONARE 2021
“Jemi në kushtet kur kontrata po justifikon koncesionin, apo në kushtet kur koncesioni po merr më shumë para se duhet të cilat nuk po shkojnë për investime?” pyet inxhinieri Meçe.

Por një masë e tillë nuk do të ndërmerret thotë në një përgjigje për Kronos Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Mosndryshimi i tarifës nga ana e Autoritetit Kontraktues deri më tani, ka sjellë një ulje efektive e tarifës si efekt i rënies së kursit të këmbimit dhe indekseve të korrektimit të çmimit të parashikuara në kontratë.” thotë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Është çmenduri. Koncesionari duhet të marrë ato para që do të përdorë. Fitimin e ka te kontraktimi. Pra, bëri rrugën, te kostot e rrugës ka dhe fitimin e vet. Paratë e tjera duhet të kthehen mbrapsht që të mos rëndohen qytetarët.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.

Një tjetër pikë që duhej ndryshuar duhet të ishte edhe kursi i këmbimit me të cilin kompania Albanian Highway Koncesion vjel tarifën. Vlera me të cilën konverton kursin nga euro në lekë është 132, ndërsa sot ky kurs ka shkuar në 106 lekë, 24.5% më pak. Edhe në këtë pikë, qeveria mbron koncesionarin duke thënë se nëse do të ndryshohej kursi i këmbimit, tarifa do të dilte më e lartë.

“Mekanizmi i llogaritjes së tarifës rregullohet në bazë të formulës dhe Indekseve të vendosur në Kontratën e Koncesionit. Duke marrë në konsideratë impaktin që një rritje e tarifës do të sillte tek përdoruesit e rrugës, deri në këtë moment është vijuar me mosndryshim tarife.” thotë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Por kontrata thotë ndryshe.

“Kursi i këmbimit, lejohet rrumbullakohet deri në 1 cent ose 10 lekë. Kur kursi i këmbimit gjatë 30 ditëve përpara ndryshon me 5% nga referenca e fundit dhe nuk kthehet sërish në nivelin që ishte, brenda 10 ditësh koncesionari dhe Autoriteti Kontraktor rregullojnë normën e taksës deri në maksimumi 3 përshtatje në vit. ” thuhet në kontratën koncesionare.

“Ky është një tjetër abuzim. Ministria përgjegjëse duhet të monitorojë gjithë procesin ku është? Duhet rishikuar vlera në lekë në momentin që ka zhvlerësim. Dhe ky është një abuzim që ka ndodhur gjatë në kohë.” thotë Soko.

/ Emisioni “Kronos”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *