• Sat. Apr 27th, 2024

Një dekadë për të ndërtuar Urën e Madhe mbi Drin. Salillari zvarrit punimet në rrugën e Kombit

Përveç mirëmbajtjes së rrugës me gjatësi 114 kilometra, koncesionari ka marrë përsipër të kryejë edhe investimin për uren e re mbi lumin Drin, për të cilën ka marrë deri më sot 27 milion euro nga shteti që financon punimet dhe i mbetet për të marrë dhe 12 milion euro të tjera.

“Kompleksiteti dhe vështirësia teknike e veprës kanë sjellë që vlera e investimit të jetë më e lartë se vlera e parashikuar, por gjithsesi kjo kosto shtesë nuk impakton Buxhetin e Shtetit pasi përballohet nga shoqëria koncesionare.” thotë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Po shohim që po na dalin të njëjtat probleme që kemi përpara se të jepej me koncesion. Përse u dha me koncesion atëherë? U dedikuan paratë në kontratë për plotësimin e infrastrukturës që mungonte.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.

“Është një vepër inxhinierike shumë specifike dhe në kushte shqiptare nuk është e lehtë të realizohet. Ne nuk kemi ekspertizë ta bëjmë, por një kompani tjetër që e ka këtë ekspertizë.” thotë inxhinieri Arben Meçe.

Edhe pse afati në kontratë është që ura duhet të përfundojë brenda 4 vjetësh, ky limit është tejkaluar ndërsa punimet ende nuk kanë përfunduar.

“Ka përfunduar pjesa e nënstrukturës dhe montimi i urës në sheshin e kantierit. Aktualisht po punohet për të vijuar me fazën e lëshimit të urës sipas projektit. Punimet pritet të përfundojnë brenda vitit 2023. Kemi të bëjmë me një vepër të madhe inxhinierike apo punime me vështirësi të lartë teknike, propozimet dhe dakordësitë janë për ta përfunduar brenda këtij viti. Kemi patur gjatë këtyre viteve dhe ngjarje madhore siç ishte pandemia e Covid-19 e cila ka ndikuar në ecurinë e punës si dhe probleme sociale dhe shpronësimesh.” thotë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Qeveria duhet të rishikojë tërësisht mënyrën se si janë plotësuar detyrimet e koncesionarit dhe në momentin që ato nuk janë të plotësuara më e natyrshme është të prishet kontrata dhe rruga të kalojë në administrim të një kompanie publike.” thotë administratori i Konfindustria-s Gjergj Buxhuku.

Koncesionari ka rezultuar me një fitim në katër vitet e operimit për të cilët ka një bilanc të audituar të pasqyrave financiare prej 2.6 milion euro, edhe pse në këtë periudhë ka patur fazën kryesore të investimeve për mbylljen e daljeve dhe ndërtimin e rrugëve lidhëse, plus disa vepra të mëdha infrastrukturore.

/ Emisioni “Kronos”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *