Ndotja e liqenit të Fierzës, Shqipëria dhe Kosova, të pafuqishme për ta ndalur

Përpjekjet disavjeçare për ta ndalur ndotjen, nuk ia kanë dalë që ta shpëtojnë liqenin e Fierzës, ujërat e të cilit kanë shënuar rënie të cilësisë. I krijuar 45 vite më parë, autoritetet ndihen të pafuqishme për ta penguar ortekun e mbetjeve, që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe tri bashki, përmes të cilave ai kalon nëpër Shqipëri, ndërkohë që Ministria e Mjedisit nuk e sheh si problem ndotjen e Fierzës.

Autorë: Adelina Ahmeti, Emiriola Velia dhe Merxhan Daci

Në korrik të vitit 2014 dy ekspertë të mjedisit në Kukës vunë re një zhvillim masiv të algave në liqenin e Fierzës. Zhvillimi i pazakontë u shfaq fillimisht në zonën e urës së Lumës dhe u përhap pastaj më tej në hapësirën e liqenit rreth Kukësit. Shtresa prej 5-7 cm e trashë ishte e shtrirë në një hapësirë prej 25 km2, përballë Kukësit dhe në të dyja degët anësore, në Drinin e Bardhë, deri në Kosovë dhe Drinin e Zi.

Analizat laboratorike konfirmuan se cilësia e ujërave të Fierzës ishte cenuar ndjeshëm. Për herë të parë u vu re lulëzimi i cianobaktereve, një familje algash, disa prej të cilave prodhojnë toksina të rrezikshme për qeniet e tjera, të gjalla, që banojnë në të ose që konsumojnë ujin.

“Vihej re qartë se bëhej fjalë për lulëzim në masë të cianobakterit Aphanizomenon flos-aquae“, – shpjegon Aleko Miho, biolog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i cili udhëhoqi ekzaminimet laboratorike të këtij “fenomeni”. Sipas tij, fatmirësisht, asokohe nuk u raportua për ngordhje masive të botës nënujore, megjithëse peshkatarët e zonës kishin deklaruar se një vit më parë kishin parë tufa me peshq të ngordhur.

“Ndonjëherë, lloje të caktuara të algave janë helmuese, me pasoja edhe më të rënda në botën e gjallë nënujore dhe në vetë shëndetin e njeriut si konsumator i sipërm në piramidën ushqimore të këtyre ekosistemeve”, – shpjegon Miho, i cili thotë se në vendin tonë ka pak studime në këtë drejtim.

Ekspertët mendojnë se kjo është një kambanë alarmi, që duhet t`i shqetësojë shumë institucione.

“Lulëzimi i cianobaktereve, i vrojtuar në Liqenin e Fierzës, është deri më sot rasti i parë për ujërat e ëmbla, të qeta. Kjo dukuri duhet të vlejë si sinjal fillestar për njohjen dhe ndërgjegjësimin, për të bashkuar përpjekjet për të ruajtur cilësinë dhe gjendjen e ujërave tona”, – thuhet në studimin e këtij rasti.

Ujërat e zeza, mbetjet urbane, mbetjet e industrisë së rëndë dhe plehëruesit, që i hidhen tokës në të tria shtetet, ku gjarpërojnë lumenjtë, përfundojnë të gjitha të patrajtuara në ujë.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2021 pranon se cilësia e ujërave të basenit të Drinit prej 3 vitesh ka pësuar rënie. Nëse në vitin 2018 ujërat e basenit Drin-Bunë bënin pjesë në klasën e III, gjendje e moderuar, duke filluar që nga viti 2019 ata klasifikohen në klasën e IV, gjendje e varfër.

Si pasojë e ndotjes alarmante, në vitin 2014 qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës krijuan një task forcë, por përpjekjet për vendosjen e rrjetave mbrojtëse kanë dështuar. Po ashtu, rrugës kanë mbetur edhe premtimet për t’i dhënë kësaj zone status të veçantë, që do ta mbronte nga ndotja dhe do ta kthente në funksion të zhvillimit të vendit.

Abdulla Diku, ekspert mjedisi në Tiranë, thotë se si pasojë liqeni dhe uji i tij i ndotur bëhet strehë e problemeve mjedisore, duke u kthyer kështu në një vendgrumbullim ndotjesh.

“Dhe kjo ndotje zbret drejt Komanit, Vaut të Dejës, përshkon Bunën dhe derdhet në det”, – thotë Abdulla Diku, i cili shton se në të gjithë këtë linjë qarkullon një industri e lehtë peshkimi, me të cilën ushqehemi ne, vizitorët, fëmijët dhe komunitetet.

“Nëse shkon në Kukës, të ofrojnë me krenari peshk nga liqeni i Fierzës, ndërkohë që mbetjet e vendgrumbullimit të Kukësit gjenden mu në buzë të liqenit. Ushqehemi pra me ushqime të ndotura”, – thotë Abdulla Diku, ekspert mjedisi, mjaft i njohur në Tiranë.

 

Kush e ndot Fierzën

Shirat e rrëmbyeshëm të këtij janari e “veshën” sërish Fierzën dhe brigjet e tij me mbetje nga më të ndryshmet, kryesisht plastike. Ndotësi kryesor është Drini i Bardhë, që buron nga Kosova dhe përshkon një zonë me popullsi rreth 400 mijë banorë. Buzë tij janë të ngritura disa qendra të rëndësishme banimi, që i hedhin në lumë mbetjet urbane dhe ujërat e zeza, të patrajtuara. Edhe Drini i Zi, që buron nga liqeni i Ohrit në Maqedoni, si dhe degëzimet e lumenjve brenda territorit shqiptar, së bashku me ujërat, sjellin me vete edhe male mbeturinash.

Si pasojë, cilësia e ujërave të ujëmbledhësit më të madh në vend, Fierzës, kërcënohet seriozisht.

Adem Lushaj, aktivist për mbrojtjen e mjedisit, është banor në komunën e Deçanit, nëpër të cilën rrjedh Drini i Bardhë. Ai tregon se ky lumë, i cili ngërthen edhe shumë të tjerë rreth vetes, ndotjen kryesore e ka nga derdhja e ujërave të zeza, si mungesë e impianteve për pastrim.

“Rasti më alarmant është ai i zbrazjes së ujërave të zeza të Deçanit dhe të disa fshatrave. Kanalizimi kryesor derdhet pikërisht këtu, në Lumbardhin e Deçanit. Diku, 10 metra nën derdhje të kanalizimeve, është kanali, ku merret uji për ujitjen e tokave”, – rrëfen Lushaj, duke treguar i dëshpëruar fotot, që dëshmojnë masakrën mbi këtë lumë.

Qytetarët që jetojnë në zonën e Deçanit e që prek edhe Lumbardhin, që mban emrin e njëjtë, vazhdimisht kanë protestuar kundër ndotjes ujore. Lushaj tregon se kanë iniciuar edhe kallëzime në organet e drejtësisë, për shkak të ndotjes e degradimit të ujërave.

“Reagimet institucionale karshi reagimeve të qytetarëve kanë qenë për keqardhje”, – thotë i zhgënjyer Lushaj.

“Ndotja e ujit dhe e ajrit nuk ka kufi. Ndotja e Drinit të Bardhë ndikon direkt edhe në Shqipëri. Pra, ndikimet janë ndërshtetërore dhe duhet të luftohen nga të gjithë”, – përfundon aktivisti Lushaj.

Ndotja më e madhe e Fierzës i faturohet ujërave që vijnë nga Kosova. Të papajisura me impiante trajtimi, Peja, Deçani dhe Prizreni i derdhin mbetjet urbane dhe industriale direkt në lumenj dhe më pas përfundojnë në Drin. Këtyre iu shtohet edhe përdorimi i pesticideve dhe fertilizerëve në bujqësi, si dhe mbetjet toksike nga industria e rëndë.

Agron Shala, udhëheqës i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sqaron për Investigative Netëork Albania-n se në Drinin e Bardhë derdhen 10 lumenj që janë të ndotur. Sipas tij, në Kosovë lumenjtë më të ndotur janë Prishtevka, i cili gjendet në fshatin Bresje, Graqanka, në fshatin Vragoli, lumi Sitnica, lumi Rimniku dhe lumi Klina.

“Lumenjtë më të ndotur, që derdhen në Drin të Bardhë, janë lumi Klina (përshkon komunën e Skënderajt dhe të Klinës) dhe lumi Rimnik (përshkon vetëm komunën e Rahovecit)”, – thotë Shala.

Të konsideruar lumenjtë e zinj të Kosovës, ndotja e tyre zë vend edhe në raportin e fundit, të publikuar vitin e kaluar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.

Më konkretisht, Drini i Bardhë, Istogu, lumi Klina, Lumbardhi i Pejës, lumi Mirusha, Lumbardhi i Deçanit, lumi Ereniku, lumi Rimniku, lumi Toplluha, Lumbardhi i Prizrenit janë disa prej lumenjve që derdhen përgjatë territorit të Kosovës e që vend-derdhjen e kanë në Detin Mesdhe dhe Detin Adriatik.

“Deri te pika e bashkimit me lumin Istog uji kryesisht është i cilësisë së mirë. Ndryshimet drastike fillojnë në rajonin Zllakuqan-Ruhot dhe Zllakuqan-Klinë. Te pika e takimit të Drinit të Bardhë me lumin Klina bëhet përkeqësimi i gjendjes së tij. Pra, uji i pellgut të Drinit të Bardhë ndotet nga shkarkimet e nën-pellgjeve, të cilat paraprakisht iu janë nënshtruar ndikimeve njerëzore”, – thuhet në raportin e vitit 2020 të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë për cilësinë e ujërave.

Megjithatë, drejtuesi i Hidrometeorologjisë së Kosovës thotë se ujërat që kalojnë kufirin në Shqipëri janë me ndotje të vogël, krahasuar me vetë sasinë e ujërave që ka ky lumë.

Shala rendit një sërë faktorësh që ndotin ujërat sipërfaqësore e rrjedhimisht edhe ato nëntokësore.

“Ndotja kryesisht vjen nga të gjitha shkarkimet e ujërave që përdorin, duke u nisur nga secili operator ekonomik: pompimi i ujit nga minierat, restorantet, prodhuesit e produkteve të qumështit, të mishit, të plastikës, të betonit; shpëlarja e zhavorrit, bujqësia etj.”, – shpjegon kreu i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

“Sot është vonë, po nesër?”, – thotë më tej Shala në deklaratën e tij për INA MEDIA-n.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës prej kohësh bën monitorimin e cilësisë së ujërave të lumenjve dhe nënkupton që, nëse vlerat e parametrave të matura janë të larta, ujërat janë të ndotura.

Më herët një raport i Bankës Botërore për sigurinë e ujërave të Kosovës ka ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e ujërave të ndotura në shtetin simotër të Shqipërisë.

Në vitin 2010, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës realizoi projektin për përpilimin e Kadastrës të Ndotësve të Ujërave të Kosovës. Ky projekt paraqiste të dhëna shqetësuese, ku ekipet e ekspertëve kishin identifikuar mbi 368 ndotës të ujërave.

“Të gjitha pellgjet lumore të Kosovës janë shumë të ndotura”, – thuhet në raport.

Virtyt Gacaferri, drejtues i Balkan Natural Adventure, një kompani lokale turizmi, thotë se ka konstatuar se turistët i hedhin mbeturinat në ujë, pasi mendojnë se uji i dërgon diku tjetër.

“Ndotja e lumenjve është e rrezikshme për shëndetin dhe xhepin e njeriut. Nëse ndotet uji i lumenjve dhe bëhet i papijshëm, të gjithë do të përfundojmë të pimë ujë nga shishja”, – thotë Gacaferri.

Gacaferri përmend një nga vërejtjet kryesore, që marrin nga klientët e tyre.

“…rreth sasisë së bërllokut në natyrë e sidomos në liqenin e Komanit. Atje, te liqeni i Komanit mblidhet bërlloku i kosovarëve, që e hedhin në Drin dhe në lumenjtë që derdhen në të”, – tregon më tej ai.

Fatmir Bajraliu, sekretar në Federatën e Peshkatarëve të Kosovës, thotë se nuk funksionojnë si organizatë për zhvillim të aktiviteteve sportive dhe sugjerimet apo ankesat, si dhe denoncimet e tyre nuk merren shumë parasysh.

“Shumë shpesh ka ndodhur që peshkatarët dhe rojet e peshkimit në terren kanë hasur në parregullsi, kanë lajmëruar grupin e inspektimit dhe përgjigjja nga ata ka qenë: “Faleminderit për informacionet, do të marrin masa”, – përgjigjet Bajraliu.


 

Institucionet, pa strategji

Ndotja e basenit ujëmbledhës pranohet edhe nga vetë institucionet përgjegjëse. Një studim i Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike (ACER), në lidhje me cilësinë e ujërave në qarkun e Kukësit, publikuar në vitin 2021 në faqen zyrtare të Bashkisë së Kukësit, dëshmon se problemi më i madh në këtë qark është ndotja e ujërave të basenit të liqenit të Fierzës. Por, paradoksalisht në këtë qark “nuk ka asnjë institucion për të bërë monitorimin e cilësisë së ujërave”.

“Burimet e ndotjes së këtyre ujërave janë: materialet inerte (kryesisht materiale plastike, si shishe bidonë, shiringa etj.), që grumbullohen nga prurjet e lumenjve Drini i Bardhë, Drini i Zi dhe lumi Luma. Duke qenë se këta lumenj kalojnë nëpër një territor të gjerë edhe jashtë kufijve shtetërorë, si Kosovë e Maqedoni, dhe brigjeve të këtyre lumenjve bëhet depozitimi i mbetjeve urbane, ndodh ndotja masive me këto materiale”, – thuhet në këtë studim të publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë së Kukësit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, që është pronarja e këtij baseni, e pranon ndotjen e Fierzës dhe sqaron për Investigative Netëork Albania-n se e ka përfshirë këtë problem në strategjinë e zhvillimit dhe parashikon projekte për ndërhyrje.

“Përveç problematikës së mbetjeve, të mbartur prej vitesh nga territoret e bashkive në basenin liqenor të Fierzës, një prej burimeve kryesore të ardhjes se tyre në liqen janë mbetjet që vijnë nga Kosova nëpërmjet derdhjes së lumenjve Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Mbetjet e plastikës mbeten një prej problemeve më të mëdha në liqen”, – thotë KESH në një përgjigje zyrtare për Investigative Netëork Albania-n.

KESH pranon se aksionet sporadike që ka kryer së bashku me shoqatat mjedisore apo aktivistët “nuk mund t`i japin një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, pasi mbetjet përfundojnë në liqene, sa herë ka prurje uji si pasojë e reshjeve”.

Megjithëse premton se pastrimi i liqenit nga mbetjet do të jetë prioritet, KESH sqaron se përgjatë vitit 2022, pastrimi i mbetjeve në të tria liqenet e hidrocentraleve që ka në administrim, u pengua nga shpallja e gjendjes së emergjencës energjetike, e cila është ende në fuqi.

“Projekti është tashmë i përfunduar dhe do të jetë prioritet, sapo KESH të ketë mundësinë financiare për ta prokuruar këtë shërbim”, – sqaron KESH.

Paradoksalisht, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se nuk ekziston asnjë problematikë e tillë.

“Rreth situatës në liqenin e Fierzës (lumi Drin), ju bëjmë me dije se në ARM-në, Shkodër, Lezhë, Kukës nuk është deleguar ndonjë ankesë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit apo nga ndonjë institucion tjetër, publik rreth kësaj çështjeje”, – tha ministria në përgjigjen e saj, e cila rendit si sukses disa aksione pastrimi.

Por, me sa duket, Ministria e Mjedisit nuk e ka parë raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që konfirmoi se ujërat e basenit të Drinit janë vlerësuar si me cilësi jo të mirë.

“Ujërat e basenit të Drinit klasifikohen në Klasën IV – Gjendje e varfër, pasi stacioni në pikën Drini, Lezhë para derdhjes në det është vlerësuar me ndotje në vlerësimin e parametrave fiziko-kimikë mbi normat e lejuara, për shkak të impaktit të shkarkimeve urbane të qytetit, problematikë, e cila vihet re pranë zonave urbane”, – tha Agjencia Kombëtare e Mjedisit në përgjigjen zyrtare për INA MEDIA-n.

Profesor Aleko Miho është skeptik edhe për raportet e paraqitura nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pasi sipas tij nuk flasin për matje periodike.

“Bëhet një vlerësim tepër i përciptë lidhur me cilësinë e ujërave dhe kjo mënyrë nuk tregon aspak profesionalizëm dhe siguri në cilësinë e të dhënave. Kjo i bën këto raporte pak të përdorshme lidhur me njohjen konkrete të cilësisë së ujërave”, – thotë profesor Miho.

“Plani Kombëtar i Monitorimit të Mjedisit, që gjenerohet për vit nga AKM, është tepër ambicioz, por është i pamundur të mbulohet nga dy laboratorë modestë, të strehuar pranë AKM, dhe nga stafi përkatës po aq modest”, – thotë më tej ai dhe sugjeron që qeveria duhet të mbështesë krijimin e një institucioni të pavarur për monitorimin e mjedisit.

Me gjithë ngërçin mes institucioneve duket se mbrojtja e ujërave të Fierzës ka mbetur në dorë të aktivistëve.

Arben Kola, një guidë individuale për ata që janë në kërkim të udhëtimeve të vështira, ka qenë një prej organizatorëve të aksionit “Ta pastrojmë Fierzën”, në prill të vitit 2021. Vullnetarët që iu bashkuan nismës mbërritën edhe nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

“Mbi 100 vullnetarë pastruan një prej brigjeve të liqenit në Kukës dhe mblodhëm rreth 700 thasë”, – rrëfen Arben Kola për aksionin e organizuar.

“Kishim për qëllim ndërgjegjësimin, por kjo nuk është zgjidhje”, – thotë i vetëdijshëm ai për problemin e madh të ndotjes.

Sipas Rifat Demaliajt nga Qendra për Progres Rinor, pavarësisht se ka një rritje të ndërgjegjësimit, ndalimi i ndotjes së liqenit duket një sfidë e vështirë.

“Institucionet lokale, që janë përgjegjëse për këtë situatë, duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të ndikuar në largimin e mbetjeve që grumbullohen përgjatë brigjeve e mbi sipërfaqen e ujit. Ne, si shoqëri civile, ndihmojmë në ndërgjegjësim, por jo në zgjidhje. Zgjidhja duhet të vijë nga institucionet lokale, si të Kukësit, po ashtu edhe ato të Kosovës”, – i tha INA MEDIA-s Demaliaj.

 

Ndikimi në ekonomi

Peshkatarët janë ata që vuajnë prej vitesh pasojat e ndotjes së ujërave të këtij liqeni. Nëse para viteve `90 ky basen prodhonte rreth 5 mijë tonë peshk, vitet e fundit peshqit, që bien në rrjetat e peshkatarëve, janë rralluar shumë, duke u reduktuar në një shifër minimale prej 25 tonësh në vit.

Një pjesë të fajit për zhdukjen e peshqve ata ia faturojnë ndotjes.

“Ka vite që liqeni ndotet. Mbetjet, kur gjuajmë, na prishin rrjetat dhe na e vështirësojnë peshkimin. Kur dalim në liqen me varkë, pastrojmë edhe vetë, jemi mësuar tashmë”, – tregoi për INA-n Albert Martini, një prej peshkatarëve që përditshmërinë e ka në vende të ndryshme në brigjet e liqenit.

Fatmir Bajraliu, sekretar në Federatën e Peshkatarëve të Kosovës, vjen shpesh për të peshkuar në ujërat e Fierzës, por ai rrëfen se ka raste kur peshkimi është i pamundur për shkak të ndotjes.

“Ne, peshkatarët e Kosovës, peshkojmë shumë shpesh në liqenin e Kukësit dhe ka pasur raste që në pjesë të mëdha në sipërfaqe s’kemi pas mundësi me hedh grepin prej mbetjeve plastike, që sjell Drini i Bardhë”, – rrëfen Bajraliu.

Eksperti i mjedisit, Abdulla Diku, ngre alarmin se kjo ndotje rrezikon të zhdukë troftën, një ndër llojet më vlefshme të peshqve në këtë zonë.

“Troftat p.sh., nuk mund të jetojnë në ujëra të ndotura, do të zhduken apo do të ikin që aty. Po ashtu dhe lloje të tjera peshqish”, – sqaron eksperti, Abdulla Diku.

Drejtoria e Bujqësisë në Kukës thotë se ka organizuar disa aksione me institucione të tjera lokale, shoqëri civile për sensibilizimin e aksioneve vullnetare të pastrimit. Nga ana tjetër, Bashkia e Kukësit bën me dije se ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Lübeck-ut në Gjermani, për të patur pajisje për pastrim.

Vendosja e barrierave në lumin Drini i Bardhë është hapi i parë drejt një zgjidhjeje të pjesshme të problemit, por ky projekt me vlerë rreth 400 mijë euro, i quajtur BioDrini, dhe i udhëhequr nga komuna e Rahovecit, lë jashtë Drinin e Zi.

Abdulla Domi, kryetari i qarkut të Kukësit, e sheh me shqetësim situatën në lumin Luma, që shtrihet përgjatë Parkut Kombëtar Natyror, Korab-Koritnik.

“Është shumë i rrëmbyeshëm e mund të ndikojë në prishjen e barrierave, edhe pse gjatë zbatimit të projektit është parashikuar që të ndërhyhet në rregullimin e shtratit të lumit Luma”, – shpjegon Domi. Projekti ndërkufitar, që mbështetet nga Bashkimi Europian, vjen si bashkëpunim mes Bashkisë së Kukësit dhe komunës së Rahovecit. Sipërfaqja e këtij liqeni në territorin e Shqipërisë është 64 km2, ndërsa gjithsej sipërfaqja, po të llogarisim edhe pjesën e liqenit në Kosovë, shkon në 72.5 km2.

Baseni i lumit Drin është një basen ndërkufitar, i cili ndahet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.

Ekziston edhe një memorandum mirëkuptimi, si dhe një Plan-Veprimi Strategjik, i miratuar nga 5 shtetet që ndajnë këtë basen lumor, në kuadër të një bashkëpunimi afatgjatë me mbështetjen e projektit Drin Corda.

Ndotja e lumenjve në Kosovë, që vjen nga hedhja e mbeturinave, kanalizimet e ajo më e rrezikshmja, që konsideron Fatmir Bajraliu, ndotja kimike, e cila bëhet nga bizneset prodhuese, shkatërron edhe faunën ujore, e cila është shumë e rëndësishme.

Kodi Penal i Kosovës përmban edhe dënime për ndotjen e mjedisit. Neni 338 parasheh ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit.

Në disa përgjigje për INA-n, Policia e Kosovës ka treguar se vetëm gjatë vitit 2022 janë regjistruar 81 dosje kundër personave, qytetarëve në lidhje me ndotjen, degradimin e shkatërrimin e mjedisit.

Nga shtatë prokuroritë në Kosovë, të cilat hetojnë e trajtojnë krimet, në disa prej tyre ka 14 çështje të hapura me lëndë për degradim, shkatërrim e ndotje të mjedisit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se 36 raste janë pranuar në vitin 2017 në lidhje me degradimin e mjedisit. Në total 40 raste janë përfunduar, ndërsa në po të njëjtin vit 71 raste nuk janë zgjidhur.

Viti 2018 i kishte gjetur gjykatat me 71 raste të mbetura nga viti paraprak. 42 raste janë pranuar si lëndë të reja, 21 kanë përfunduar me dënim me gjobë, 15 raste janë përfunduar me kusht. 44 raste janë mbyllur, ndërsa 69 janë bartur për vitin 2019. Në vitin 2019, 24 persona për degradim të mjedisit janë dënuar me gjobë, 8 janë dënuar me kusht.

 

Zgjidhja, e kushtueshme

Për ekspertët zgjidhja nuk është e vështirë, por është e kushtueshme. Ajo duhet të fillojë që nga ndarja e mbeturinave e deri te ndërtimi i landfill-eve.

“Duhen landfill-e të vërteta, jo vende ku mbetjet hidhen dhe pastaj sa nga era e sa nga mjetet shtyhen drejt liqeneve apo burimeve ujore”, – sugjeron Abdulla Diku.

Më pas ai sugjeron se në disa rrjedha ujore duhen vendosur rrjeta për të kapur mbetjet plastike, që notojnë mbi ujë, si dhe për liqenet duhet të jetë një mjet pastrues (anije e vogël), që qarkullon dhe grumbullon mbetjet që pluskojnë.

“Dhe e fundit, duhet stimuluar financiarisht grumbullimi i ambalazheve, shisheve, qeseve etj., nga banorët dhe bizneset. Pra, nëse dikush kthen një shishe, ambalazh a qese plastike, duhet të paguhet disi për të”, – shpjegon eksperti i mjedisit.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni thotë se e gjithë çështja qëndron te ndarja e mbetjeve në burim.

“Kështu do të ndodhë me ndotjen, sidomos atë plastike, edhe për shumë vite të tjera te liqenet e kaskadës së Drinit, për sa kohë që qeveritë e Kosovës e Shqipërisë nuk do të realizojnë ndarjen në burim të mbetjeve urbane”, – komenton Ferruni.

“Dënime për ata që ndotin, menaxhimi i bërllokut/ofrimi i vendeve, ku bërlloku dërgohet, dhe edukimi në fund. Konsideroj se pa të tria elementet gjendja nuk mund të përmirësohet”, – sugjeron Virtyt Gacaferri.

I vetëdijshëm se procesi i menaxhimit të mjedisit është një proces i kushtueshëm, eksperti Abdulla Diku ka edhe një kosto për këto ndërhyrje.

“Vetëm një anije pastruese për liqenet kushton p.sh., rreth 50 mijë euro. Landfill-et dhe infrastruktura tjetër menaxhuese e mbetjeve kushton shumë gjithashtu. Ndoshta për qarkun e Kukësit duhen 3-5 milionë euro. Nëse tenderët nuk kthehen në qëllime në vetvete, investime të tilla zakonisht janë të qëndrueshme, ndryshe do të gëzojmë vetëm vlerat monetare të tenderëve”, – përfundon ai.


Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *