• Sat. Apr 27th, 2024

Shpifi kundër kandidatit të opozitës në Kukës për zgjedhjet e 14 majit, gjykata dënon televizionin ABC News

Gjykata e Kukësit shpalli fajtor për shpifje televizionin pro-qeveritar ABC News, pasi kishte shpifur më herët për Admir Sinamatin, kandidatin e opozitës për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Vetë Sinamati ka postuar vendimin dhe një reagim për këtë çështje.

POSTIMI I PLOTË

Para pak ditësh Gjykata e Shkallës së Parë Kukës shpalli fajtor duke e dënuar penalisht televizionin ABC NEWS për shpifje ndaj meje dhe babait tim të ndjerë, lidhur me një kronikë të transmetuar dy ditë (11 dhe 12 Maj) para zgjedhjeve të 14 Majit 2023.

Kronika, që gjoja babai im kishte dënuar me burg tetë qytetarë kuksianë për agjitacion e propagandë në vitin 1982, në fakt ishte përgatitur me kujdes të posaçëm në zgafellat e mafies e skutat e ish-sigurimit të shtetit, të ndihmuar fuqishëm nga shërbëtorë mllefaxhinj të devotshëm të klaneve më të pista dhe të urryera të Kukësit. Qëllimi i tyre ishte baltosja e figurës sime, kandidaturës së demokratëve dhe qytetarëve të Kukësit për kryetar Bashkie, me qëllimin e vetëm: pengimin e ndryshimit rrënjësor të shumëpritur nga qytetarët kuksianë, duke mundësuar fitoren e “rilindjes” dhe sektit anadollak në Kukës.

“Kuzhina” kriminale e mashtrimeve përgatiti në “kazanët” mavi të disinformimit një lajm që mezi pritën ta publikonin dhe ta interpretonin me mllef dhe triumfalizëm skizofrenik viktimat politike bartës patologjik të “sindromës së Stockholmit”, të cilët e përdorën këtë lajm për të dekurajuar votuesit kuksianë që dikur i kishin shfrytëzuar sa për të marrë poste politike dhe administrative, e me djallëzinë e dalë prej shpirtit katran të tyre deri diku ia arritën qëllimit.

Këtë lajm të pavërtetë, të sajuar mbi shpifje të ulëta e përdorën edhe disa jashtëqitje politike në Tiranë për të thënë se: “Admiri nuk paska qenë siç hiqet”, por i kujtoj këta mercenarë provincialë se unë nuk dekurajohem nga spaletat fallco të tyre.

Gjej rastin të falenderoj me mirënjohje z. Avdi Gjana për qëndrimin publik të mbajtur menjëherë pas daljes së këtij lajmi, z. Ardian Daut Elezi (nip i Raif Elezit dhe Avdi Gjanës) për reagimin e hapur dhe denoncues ndaj kësaj shpifjeje të ulët, Abaz Shemsi Domin e familjarët e pothuaj të gjithë personave të anatemuar në këtë lajm të rremë për mbështetjen inkurajuese ndaj meje, si dhe të gjithë miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi që nuk u mashtruan nga ky lajm, por mbajtën besimin e plotë, në atë çfarë unë dhe familja ime përfaqësojmë.

Falenderoj me përulje shokun tim të fëmijërisë Avokat Eritan Shehu dhe anëtaren e kryesisë së PD-Dega Kukës Avokate Melisa Zeneli, të cilët përgatitën padinë dhe bënë përfaqësimin tim ligjor në gjykatë, dhe që falë punës së tyre të shkëlqyer profesionale arritëm një fitore jo vetëm për mua por për të gjithë të lënduarit nga kjo shpifje.

Iu them mbeturinave të ish- sigurimit, vasalëve të korrupsionit e mafies por edhe disa lehaqenëve pseudodemokratë në Kukës, kërkojuni falje njerëzve që i keni disinformuar me të njëjtën sajesë ne vitin 2003 dhe 2023 ndryshe do t’ju kërkoj të mashtruarve prej jush të ju hedhin në honin e mbeturinave siç në fakt keni rënë prej kohësh.

Edhe njëherë ju kujtoj se Admir Sinamati nuk dekurajohet, nuk trembet, nuk shitet e as nuk tjetërsohet.

Kam lindur e jam formuar për t’iu shërbyer njerëzve  e jo djajve!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *