• Wed. May 8th, 2024

Takim në shkollë gjatë fushatës, për çfarë po hetohet deputetja e PS së Kukësit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka shqyrtuar sot ankesën e Qendrës Qytetare në lidhje me një takim të zhvilluar në shkollën e mesme ‘Shëmri’ të Kukësit nga deputetja e zgjedhur e PS-së në Kukës Gerta Duraku.

Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kishte rrëzuar këtë ankesë, por sot KAS-i ka vendosur që të rinisë hetimin.

Pas këtij vendimi do të merren dëshmi dhe prova, nëse takimi elektoral i zhvilluar në Shëmri të Kukësit është zhvilluar në ambientet e shkollës së mesme, apo jashtë saj.

Sido që të dalë hetimi, deputetja e zgjedhur Gerta Duraku nuk rrezikon asgjë, por drejtoria Arsimore ose Bashkia e Kukësit mund të përballen me një gjobë.

Njoftimi i KQZ-së në lidhje me vendimin:

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi kërkesën ankimore nr. 59 me objekt ‘Kundërshtimin e vendimit nr. 423, datë 05.07.2021 të KSHZ, ‘Për shqyrtimin administrativ të kallëzimit ndaj kandidates për deputete zj. Gerta Duraku dhe Zyrës Vendore Arsimore Kukës për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator në KQZ’ me ankimues Qëndresa Qytetare.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 423 të KSHZ-së dhe riçeljen e hetimit administrativ të plotë e të gjithanshëm nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Procedurave Administrative, duke u garantuar të drejtat e palës në procesin administrativ kandidates për deputete, Drejtorisë së Zyrës Vendore Arsimore Kukës dhe drejtorit të Shkollës së Mesme ‘Shëmri’ Kukës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *