• Tue. Apr 30th, 2024

Zhvillimi përmes turizmit malor në zonat e Kukësit-Nga Azem Parllaku

Perspektiva e ardhshme përmes turizmit malor është një prej mundësive të zhvillimit të njërës prej zonave të qarkut të Kukësit, në të cilën përfshihen njësitë administrative Shishtavec dhe Topojan.

Edhe pse deri më sot nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë, projektet të cilat mund të hidhen në zbatim, do të kenë për qëllim, rritjen e mundësive të punësimit përmes turizmit në këtë rajon ndërkufitar mes Shqipërisë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Tabloja natyrore e kësaj zone, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin ka krijuar peizazhe fantastike.

Si pjesë e identitetit ekonomik turizmi i cili, ndonëse ende jo shumë i njohur për banorët, do t’i japë zonës një tjetër impuls zhvillimi, duke përfaqësuar një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik të saj, bazuar në ruajtjen dhe përdorimin e vlerave të veçanta të kulturës, natyrës, biodiversitetit dhe të traditës lokale të jetesës së komunitetit.

Që të jemi realistë, bëhet fjalë për banorë që jetojnë në kushte të vështira, ku infrastruktura bazë, rrugë, energji, infrastruktura arsimore e shëndetësore janë të këqija dhe pa diskutim ka një shkallë të lartë mosbesimi për perspektivën afatshkurtër, ç’ka ka sjellë largime masive të të rinjve drejt vendeve të Perëndimit.

Vendosja e turizmit në krye të skenarit të zhvillimit nuk do rezultonte aspak si një zgjidhje artificiale për zhvillimin e zonës, duke qenë se territori zotëron burimet e duhura natyrore dhe humane që favorizojnë këtë veprimtari ekonomike.

Kështu, gradualisht, me zgjidhjen e disa problemeve të karakterit infrastrukturor, me provomivin e turizmit dhe me përshtatjen e familjeve për ta pranuar gjerësisht rëndësinë dhe vlerën e tij, kjo veprimtari do të mund të inkuadrohet më së miri në profilin ekonomik të zonës, duke i dhënë asaj një tjetër dimension identitar, atë turistik.

Eshtë pikërisht turizmi i cili do të mund të shërbejë si çelësi apo impulsi i duhur drejt sigurimit të një zhvillimi endogjen të zonës, duke mundësuar shfrytëzimin efikas të resurseve të saj dhe duke vënë në lëvizje kapitalin human drejt nismave sipërmarrëse.

Në tërësi majat e maleve dhe kullotat më të mëdha alpine në vend, ofrojnë mbi të gjitha hiking (ecje në mal-shtegtim), por në mjaft pjesë të territorit ofrohet edhe mountains biking (ecje me biçikleta malore). Shtigjet bashkojnë parqet kombëtare të tre shteteve atë të Sharrit me Parkun Natyror Korab-Koritnik. Rajoni ofron pasuri nga më të rëndësishmet të biodiversitetit dhe atraksionit turistik.

Gjatë viteve të fundit me investime të vetë banorëve kryesisht në Shishtavec dhe në Novosej, është regjistruar shtimi i turistëve, gjë që ka sjellë dhe motivimin e banorëve.

Fillimi është shumë i vështirë, teksa bashkëpunimi midis grupeve të interesit dhe ndërtimi i standardeve të përbashkëta minimale, lidhur me guidat turistike, sinjalistikën turistike, mikpritjen në bujtinat dhe stanet është çelësi i duhur për të arritur suksesin.

Element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional i strukturave qeveritare dhe pushteteve vendore të Shqipërisë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku mund të veçohet mirëkuptimi i Policive Kufitare, që të lehtësojnë procedurat e kalimit kufitar të turistëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *