• Sat. Apr 27th, 2024

Akuzat ndaj Thaçit dhe lufta e UÇK-së

Para disa ditësh, përpara parlamentit të Serbisë u vendos një banderolë kunder UÇK-së. Në vështrim të përgjithshëm kjo nuk na jep ndonjë risi, pasi dihet urrejtja serbe për shqiptarët. Ama, nëse e vështrojmë se si ishte e konceptueme ajo banderolë, atèhere do të kuptojmë edhe hilen që fshihet pas kësaj, gja që na tregon atë që ne shpesh nuk po e kuptojmë, se: pas një të keqe që serbët na paraqesin, kemi diçka edhe ma të keqe që nuk duket.

Në të njajtin pllakat ishte vendos flamuri i UÇK-së dhe portretet e disa individëve, aktualisht të akuzuem nga gjykata speciale. Para këtij pllakati të konceptuem në këtë mënyrë, pavetëdija njerëzore ban lidhjen dhe unifikimin e UÇK-së me këta individë. Pikërisht këtu qëndron “djalli”.

Në vitin 1941, u krijue PKSH me ndihmën e dy komunistave Jugosllavë, të cilët me kujdes gjetën personin e përshtatshëm për drejtimin e kësaj partie. Drejtuesi duhet të ishte: jo shumë inteligjent, jo shumë i ditun dhe lehtësisht i lakueshëm e i shantazhueshëm prej tyne. Ky lloj individi me këto veçori, duke qenë në pushtet, kthehet vetë në diktator. Si i tillë, ai do të identifikojë gjithçka shtetnore por edhe kombëtare me veten dhe do të luftojë çdo kundërshtar pa mëshirë, kryesisht ata të nivelit ma të naltë se vetja e pikërisht kët e ban nën maskën e parullave për inters shtetnor e kombëtar. Saktësisht kjo u interesonte themeluesve Jugosllavë të PKSH-së dhe rezultati ishte: shndërrim i luftës çlirimtare në luftë civile mes shqiptareve, luftë civile edhe mbas lufte (ndjekja dhe eleminimi fizik i nacionalistëve, lufta e klasave) si dhe damkosje e krejt shqiptarëve dhe Shqipnisë si njerëz nën nivelin mesatar dhe të pa aftë për shtetndërtim. Pra, përçamja e shqiptarëve ishte investim Jugosllav, i cili u siguroi atyne veç të tjerave edhe marrjen e mbajtjen e Kosovës nën pushtim që nga 1944 deri në 1999-ën.

A duhet të besojmë se të njëjtit aktorë ish-jugosllavë (serbët) kanë përdorë po të njëjtën taktikë edhe atëhere kur e panë se Kosova po u “rrëshqiste prej dore”? Për me gjykue për këtë, ne duhet të përpiqemi tu japim përgjigje pyetjeve:

– a mos rastësisht të gjithë mendjet e ndrituna të Kosovës u eleminuen që në fillimet e luftës, siç ndodhi edhe në 41-shin në Shqipni?

– a mos rastësisht pati konflikte midis UÇK-së dhe FARK-ut ashtu siç pati midis Nacionalçlirimtares dhe Ballit e Legalitetit në 41-44-ën?

– a mos rastësisht në Kosovë mbetën drejtues edhe të pasluftës individë me dije dhe nivel inteligjence nën-mesataren, siç ndodhi edhe në Shqipni?

– a mos rastësisht jugosllavët e shitën atë që e krijuen vetë (EH), atèhere kur ai e kuptoi se ishte i përdorun prej tyne?

Nuk mendoj se janë rastësi por mendoj se asht e njajta dorë e me të njajtat taktika.

Ata kanë përdorë individë shqiptarë, me ose pa dijeninë e tyne, dhe, duke i unifikue ata me grupin, kanë fitue betejën në grup.

Pa marrë përsipër me gjykue sot për fajësi ose jo, mendoj se një individ asht lehtësisht i cenueshëm (me ose pa të drejtë) dhe goditja që i jep këtij individi automatikisht shkon edhe për grupimin me të cilin e ke barazvlersue ose identifikue. Kështu “goditësi” duke njollosë individin, me kosto krejt minimale, përfiton rezultatin e njollosjes së gjithë grupit duke maksimizue rezultatin. Për këtë arsye, Serbia ka interes që të barazvlerësoje ose unifikoje individë të veçantë me UÇK-në dhe, duke njollosë këta individë ajo njollosë gjithë grupin, pra UÇK-në. Pikërisht për këtë arsye shqiptarët duhet të jenë të kthjellët dhe të mos e pranojnë këtë lojë, e aq ma pak ta stimulojnë vetë atë. Individët kanë përgjegjësi individuale, kushdo qofshin ata. UÇK-ja dhe FARKU ishin populli i Kosovës në luftë për lirinë e tij, si një e drejtë elementare dhe e pa tjetërsueshme. Kushdo që përpiqet me ba të kundërtën, medemek se po mbron individin, me ose pa dashje po njollos grupin dhe kështu po ban lojën e Serbisë, pikërisht atë lojën e banderolës para parlamentit të vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *