• Fri. Apr 26th, 2024

Gjici e jep bjeshkën e Kolesjanit për HEC, Sinamati: Akt i shëmtuar e i papërgjegjshëm i ‘Komitetit Ekzekutiv të Kukësit’

Bashkia e Kukësit e drejtuar nga Safet Gjici në mënyrë të fshehtë ka dhënë bjeshkën dhe masivin pyjor të Kolesjanit një kompanie për të ndërtuar një hidrocentral.

Pa asnjë konsultim me banorët, Gjici dhe këshilli i tij bashkiak ka marrë një vendim të njëanshëm që duket se do të sjellë përplasje.
Vendimi është marrë 6 ditë më parë dhe sot kanë ardhur dhe reagimet e para.

Reagimi i Admir Sinamatit:
Një akt i shëmtuar e i papërgjegjshëm i ‘Komitetit Ekzekutiv të Kukësit’
Një mik me shumë vlerë, djalë i Kolesjanit sapo më dërgoi këtë foto. E lexova dhe nuk po e besoj por qenka e vërtetë.

1.3327 Hektarë tokë pyje dhe kullota pronë publike e Kolesjanit i janë dhënë një subjekti për ndërtim HEC-i, pa marrë parasysh disa fakte.
Ky Këshill Bashkiak nuk përfaqëson as 10% të votuesve të Kukësit dhe as 5% të banorëve të Kolesjanit me të drejtë vote.
Me sa u informova nuk është marrë pëlqimi i pronarëve të kësaj pasurie që janë vetë banorët e Kolesjanit (ata që jetojnë aty dhe tjerët që janë fizikisht larg Kolesjanit).

Vendi ku pretendohet ndërtimi i këtij HEC- bën pjesë në një zonë të mbrojtur, pasi është pjesë e Parkut Kombëtar Koritnik-Korab.

Uji që tentohet të merret e kthen Kolesianin në një fshat shkretëtirë në mes të ujërave.
Së fundmi ky vendim i papërgjegjshëm do të behet shkas për reagime të ashpra duke u bërë një burim konflikti mes biznesmenëve dhe vetë kolesjanasve, që nuk e kapërdijnë këtë maskarallëk të kthyer në vendim Këshilli Bashkiak.

Si një adhurues i pakompromis i natyrës së atyre bjeshkëve dhe si bir i Lumës shpreh indinjatën time me këtë gjest, ftoj dhe bashkohem me të gjithë ato persona që janë kundër këtij vendimi, me qëllimin që të ç’bëhet ai sa më parë dhe të pamundësohet realizimi i këtij projekti ngatërrestar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *