Kukësi prezantoi këtë të hënë Skënder Gegën si trajnerin e ri, pozicion që deri pak ditë më parë e mbante Diego Longo.

Në fjalën e tij Gega theksoi se është larguar nga skuadra verilindore në javën e 11-të të sezonit që lamë pas për arsye personale, por marrëdhëniet e mira dhe besimi që kanë tifozët dhe presidenti i Kukësit e kanë bindur për të provuar një shans të dytë.

“Dua të falënderoj njerëzit dhe presidencën që që kanë shprehur besimin dhe bindjen se mund të bashkëpunojmë sërish. Kam qenë te Kukësi edhe më parë në një periudhë jo të mirë. E kam fjalën periudhë jo e mirë në aspektin personal jo të Kukësit.

Situata personale bëri që në javën e 11-të të shkëputesha nga skuadra. Është një fjalë: shansin e parë duhet ta shfrytëzosh për mirë, sepse do të të jepet edhe shani i dytë. Është përgjegjësi e madhe ndihem shumë i respektuar. Besoj se me punë dhe me përkushtim dhe më një korrektësi profesionale do ta çojmë Kukësin aty ku i takon.”

Investimet te Kukësi: “Nuk është sekret, investimi është kolosal, sidomos për këtë stadium. Kukësi është larg Tiranës, siç është Korça, Saranda apo Vlora. Infrastruktura dhe mbështetja financiare e Kukësit nuk mungon për çdo futbollist profesionist që dëshiron të vijë këtu.”

Projektimi i skuadrës: “Për çdo gjë do të bisedojmë me klubin. Do të ulemi me drejtuesit për të gjetur më të mirë për grupin ekzistues, që vazhdon ta ketë kontratën, dhe për ata të cilëve u ka përfunduar kontrata apo për pjesën tjetër që do të afrohet në skuadër. Shpresoj të jemi pjesë e Kupave të Europës, të fillojmë punën për të qenë një klub solid dhe me shumë pretendime.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *