
Kukësi vazhdon të jetë një vatër e nxehtë e koronavirusit.
Në 24 orët e fundit janë shënuar 8 raste te reja me Covid në Kukës dhe nga autoritetet shëndetësore klasifikohen si vatra të reja, pasi të infektuarit janë konstatuar në tre familje.
Mësohet se 3 prej të 8 të infektuar me koronavirus janë të shtruar në spitalin infektiv në Tiranë ndërsa të tjerët janë të karantinuar dhe gjendja e tyre për momentin është e qëndrueshme.
Njësia e Kujdesit Shëndetësor Publik Kukës vazhdon me marrjen e tamponët sipas raportimeve dhe gjurmimit të kontakteve që personat e prekur kanë patur.
Por rritja e rasteve nuk po shoqërohet me ndërgjegjësim të qytetarëve të cilët vazhdojnë të tregohen indiferentë ndaj masave mbrojtëse dhe ende nuk janë të ndërgjegjësuar sa duhet për rrezikun e infektimit, pavarësisht shtimit të rasteve nga dita në ditë.
Përdorimi i maskave apo ruajtja e distancimit fizik, nuk respektohet në mjedise publike apo në mjediset e mbyllura. Kujtojmë se prej më shumë se tre javësh Kukësi i është kthyer zonës së kuqe me Covid-19.
Aktualisht, në Kukës janë aktivë me koronavirus 37 persona. Sakaq, situata më Has dhe Tropojë paraqitet pa probleme me COVID -19.