
Në lindje të qytetit të Kukësit dhjetëra banorë të lagjes së re ndeshen me erozionin e tokës, që dita- ditës u ka ardhur në prag të shtëpisë.
Rrëshqitjet kanë filluar pas ndërtimit të skarpatës së nënkalimit të ‘Urës 6 metroshe’ që lidh ‘Rrugën e Kombit’ me qytetin e Kukësit.
Banorët tregojnë frikën dhe panikun që po u kanoset çdo ditë. Ata shprehen se askush nga pushteti lokal nuk ka trokitur tek ata për këtë problematikë.
Problem mjaft shqetësues paraqitet situata edhe për kalimtarët e rrugës. Dherat dhe balta bie pa ndërprerje në rrugë, duke bllokuar një gjatësi prej afro 100 metrash të korsisë së djathtë.
Situata pritet të bëhet akoma edhe më e rrezikshme, duke patur parasysh shirat që pritet të bien.