• Fri. Apr 26th, 2024

FOTO/ Kukësi, destinacion turistik për të apasionuarit e natyrës

Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik gjatë sezonit të këtij viti.

Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, ku kanë shijuar bukuritë e bjeshkëve.

Drejtuesi i guidës turistike të qytetit të Kukësit, Ermal Hallaçi, tha për ATSH-në se “nga janari i këtij viti deri më sot kam udhëhequr rreth 1100 turistë dhe të apasionuar pas natyrës, që kanë ardhur për të vizituar bjeshkët e Kukësit dhe fshatrat me potenciale për zhvillimin e turizmit”.

Sipas tij, Kukësi është vendi i traditës, kulturës dhe i historisë.

“Një ndër destinacionet më kryesore për këtë 9-mujor është parku natyror Korab-Koritnik. Ai shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe prej tij mund shikosh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme”, – tha Hallaçi.

Por, vijon ai, një tjetër vend që mendohet se do të tërheqë turistë të shumtë është edhe tuneli i nëndheshëm, pamjet e të cilit u bënë publike pak muaj më parë.

“Të gjithë janë bërë kuriozë për këtë tunel, të shumtë kanë qenë edhe vizitorët për të parë këtë tunel, të ndërtuar vite më parë”, – shton Hallaçi.

Në kuadër të zhvillimit të turizmit Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës bashkë me të rinjtë e “Smile Albania” Kukës vendosën gjatë muajit korrik të këtij viti tabela informuese për turistët në Parkun Korab-Koritnik në Novosej.

“Këto tabela shërbejnë jo vetëm për edukimin, por edhe për informacionin turistik për turistët vendas e të huaj që do të vizitojnë parkun”, – tha Hallaçi që shoqëron turistë të shumtë në këtë park.

Duke folur për pikat turistike të Kukësit, Hallaçi tha se një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, kjo shpellë ndodhet në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Konfiguracionet e stalaktiteve në tavanin e shpellës, janë të shumëllojta dhe simbolike. Stalaktiket dhe stalagmitet u drejtohen njëri-tjetrit duke udhëtuar me mijëra vjet. Çdo milimetër nga këto krijesa të jashtëzakonshme të natyrës, krijohet në 30 mijë vjet. Gjatë verës temperatura në brendësi të shpellës është konstante 15 gradë celsius dhe gjatë dimrit 12-15 gradë”.

Ai nuk lë pa përmendur edhe pikën turistike të Pyllit të Mështeknave, ku thuajse çdo ditë janë të pranishëm vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme, kryesisht nga Kosova.

“Nuk janë vetëm këto pika turistike, është edhe Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit”, – tha ai. Shumë vizitorë kanë mësuar edhe për vende që ndodhen jo shumë larg si: Kroi i Bardhë, Kroi i Kishës dhe Kroi Tatzot që vizitohen vetëm nga të pasionuarit pas alpinizmit kryesisht në dimër. Po kështu, në rrethin e Kukësit ofrohet kategoria e tretë e zonave të mbrojtura, Monumentet e Natyrës: Mështekna e Shishtavecit, Guri i Mëngjesit, Kroi i Kuq, Guri i Shqipes, Pylli i Dushkut në Novosej, Gryka e Çajës, Cirku akullnajor i Zepës, vargmalin Koretnik-Gjallicë-Kolesian-Kallabak-Tërfojë etj.”, – nënvizon Hallaçi.

Ai shton se të gjitha këto, ofrojnë mundësi të mira për të kënaqur vizitorët dhe të apasionuarit ndaj natyrës dhe vlerave kulturore të zonave ku ato bëjnë pjesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *