• Fri. Apr 26th, 2024

Ndër vendimet e para që duhet ndërmarrë opozita, sapo të fitojë zgjedhjet, asht hartimi i nji ligji i cili të ndalojë çdo investim qeveritar si dhe çdo akt ligjor që ndikon balancat sociale dy muaj para zgjedhjeve.

Qeveria e ardhëshme do ti bante nji sherbim të madh vendit dhe demokracisë, tue e shpëtue disi zgjedhjen e lirë edhe prej vetvetes.

Shikoni pak si shkojnë sarhoshët nëpër Shqipni tue shit mend me buxhetin publik në investime të pastudiueme dhe që i bajnë me cilësinë ma të ulët të mundëshme.  Në ngutje e n’ekstazë të mashtrimit dhe përfitimeve, po prishin edhe mjediset publike.

A durohen këta nëpërkëmbës të fatit tonë të përbashkët gjatë gjithë fushatës elektorale tue pre shirita sikur po bajmë namin?

Ku ishin këta gjatë katër viteve?  A durohen në lajme tue inagurue nga nji apartament në ditë, apo tue mbjellë nga nji pemë kur fermeri ma i thjeshtë nuk do të mburrej as edhe me nji plantacion?

Qysh u banë humamistë në ditët e fundit të mandatit këta që s’kanë lanë gja pa ba ndaj shqiptarëve josocialistë, madje ndaj edhe vetë socialistëve?  Ashtu si shtesa e shpërblimit prej qindra euro mbi pagë për mjekët që do të punonin jashtë qendrave të tyne, që ishte nji falsitet, ashtu ka me qenë çdo premtim që l’shohet në fushatë.  Edhe për mësuesit, edhe për minatorët, edhe për të gjithë të tjerët që ata i duan.

Por njerëzit që mbijetuen të papunë për 8 vite, nuk do të mashtrohen me punësimet e ngjeshuna tremujore nëpër ndërmarrjet publike dhe administratë apo në investimet që me demek i bajnë për të mirën e komunitetit.  Nuk do të gënjehen me paketa ushqimore deri në zgjedhje as ata që mbijetojnë me borxhe prej shumë vitesh.  Komuniteti ishte aty edhe më herët, e tashma po pret 25 Prillin, ndërsa zullumçarët po sillen sikur sapo e kanë zbulue.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *