• Fri. Apr 26th, 2024

Gara për Europën, në Shkodër “pritet” luftë mes Vllaznisë dhe Kukësit

Pasi Laçi siguroi vendin e dytë në renditje dhe njëkohësisht Europën, pas fitores me rezultatin 4-1 ndaj Kastriotit të dielën, tashmë gara më e fortë për një vend në Conference League tashmë është midis Partizanit, Kukësit dhe Vllaznisë. Teksa të “kuqtë” e kryeqytetit e mbyllën me humbjen 1-2 ndaj Tiranës, që fitoi titullin në sfidën e së shtunës në “Elbasan Arena”, javën e 33-të të Abissnet Superiore dhe tashmë ndodhet në kuotën e 49 pikëve, “lufta” për një vend në garat e Europës do të spostohet sot në “Niko Dovana”.

Vllaznia do të presë Kukësi në takimin e orës 19:45 në të që pritet të jetë një sfidë shumë e luftuar. Këto dy skuadra gjatë sezonit 2021-2022 janë përballur tre herë së bashku dhe statistikat flasin më mirë për “verilindorët”, pasi takimin e parë mes tyre e kanë fituar me rezultatin 2-0, ndërsa dy përballjet e tjera janë mbyllur me barazim.

Megjithatë referuar statistikave të pesë javëve të fundit në kampionat, ecurinë më pozitive e kanë shkodranët, pasi numërojnë katër barazime dhe një fitore, atë ndaj Skënderbeut me rezultatin 1-0 të luajtur në “Niko Dovana”.

Teksa kuksianët nga ana tjetër, në pesë ndeshjet e fundit kanë pësuar tre humbje dhe kanë marrë dy barazimi, një ndaj Egnatias me rezultatin 1-1 dhe një barazim pa gola ndaj Laçit.

Katër javë nga mbyllja e kampionatit këto skuadra së bashku me Partizanin, por matematikisht edhe Kastrioti me Teutën, do të “luftojnë” për vendin e tretë në renditje, për të pasur mundësinë e pjesëmarrjes në Conference League.

Megjithatë në ndryshim nga skuadrat e tjera Vllaznia ka një shans më shumë, duke qenë se para është finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, por nëse aty fitues do të dilnin kurbinasit atëherë do të jetë vendin i katërt në renditjen e Abissnet Superiore ai që do të luaj në kupat e Europës, ndaj gara do të jetë e luftuar nga të gjitha këto skuadrat deri në momentin që matematika dhe fati do i mbajë në lojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *